Nuk ishte ky skenari që Serxhio Konseisao kishte imagjinuar kur zbriti në “planetin” Milan më 30 dhjetor.
Trajneri portugez shpresonte të qëndronte në stolin kuqezi deri më 30 qershor 2026, ashtu siç e parashikonte kontrata e tij.
Por realiteti doli krejt tjetër, ndeshja kundër Monzës në “San Siro” do të jetë e fundit për të dhe madje as nuk do të jetë në pankinë, pasi është i pezulluar pas kartonit të kuq të marrë kundër Romës. Një lamtumirë pa bujë, pa konferencë shtypi, ndoshta edhe pa fjalë.
Në 19 ndeshje kampionati, skuadra e tij grumbulloi 33 pikë, sa Atalanta në të njëjtin interval, por më pak se Roma (46), Interi (38), Napoli (38) dhe Juventusi (35). Një ecuri që s’mund të justifikohet lehtë për një klub me historinë e Milanit.
Fati i Konseisaos u vulos përfundimisht më 14 maj, kur Bolonja fitoi Kupën e Italisë dhe Milani mbeti me medaljen e argjendtë.
Pak ditë më pas, humbja ndaj Romës sanksionoi edhe përjashtimin nga Europa për sezonin 2025-26. Për herë të parë që nga sezoni 2015-2016, trajneri portugez nuk arrin të përfundojë në Top 8 në një kampionat, një statistikë që flet shumë për kontrastin midis suksesit të tij në Portugali dhe sfidës që nuk u përmbush në Itali.