“Totemi” i titullit, besniku i Antonio Contes… Romelu Lukaku është një nga figurat kryesore të titullit të katërt kampion për Napolin. Pas ceremonisë së ndarjes së çmimeve në qendër të stadiumit “Maradona”, sulmuesi belg ka ndarë gjithë gëzimin e tij:
“Jam shumë i emocionuar për skuadrën dhe tifozët. Kemi punuar shumë për të arritur deri këtu dhe, nëse fituam, e bëmë falë të gjithëve. Kemi fituar të gjithë së bashku, të gjithë kanë qenë të rëndësishëm, edhe ata që nuk kanë luajtur. Në fund e sollëm titullin në shtëpi”.
Gjatë një pjese të madhe të ndeshjes, “Big Rom” i ftonte shokët e skuadrës për të ruajtur qetësinë, teksa ata ishin gati të nisnin festën: “Kur isha i vogël, finalja e Ligës së Kampionëve mes Bayern Munich dhe Manchester United më mësoi që duhet të presësh gjithmonë vërshëllimën e tretë të arbitrit”.
Më pas, sulmuesi belg u pyet për garën “kokë më kokë” me Interin, ish-skuadrën e tij: “Dueli me Interin? Pas barazimit të fundit në shtëpi dyshova se mund t’ia dilnim”. Edhe pse Lukaku thotë se gjithmonë ka besuar te Conte: “E njoh shumë mirë kapacitetin e trajnerit dhe që në fillim kam besuar se mund të bënim diçka të rëndësishme. Kemi treguar se mund të rritemi gjatë sezonit”.
Pastaj kishte hapësirë edhe për merkaton, me emrin e Kevin De Bruyne që del në pah: “A e kam telefonuar? Pa koment…” Pra, “asistin” më të rëndësishëm, “Big Rom” mund ta japë në fund të sezonit, duke ndërmjetësuar ardhjen e mesfushorit të shquar, që pas 10 vitesh do të largohet falas nga Manchester City.