Persona të gjatë e me mjekra të zeza, u panë rrugëve të NISH-it në Serbi të hënën.
Të njëjtit dyshohet se janë persona të afërt të Milan Radoiçiq, i cili me grupin e tij kreu sulmin e 24-shtatorit në Banjskë të Zevçanit ku mbeti i vrarë rreshteri, Afrim Bunjaku.
Alarmin e ngriti ish-deputeti i partisë së presidentit serb, Aleksandar Vuciq, Dragan Sormaz i cili publikoi këtë fotografi, duke treguar se njerëzit e afërt të Radoiçiq, kanë marrë një detyrë të re.
“Dihet që pas dështimit të aksionit në Banjskë, njerëzit e Radojçiçit janë në Serbi, e Radojçiçi është në Kopaonik, aty sillen s’kanë ku të shkojnë”, thotë ai.
"E keni parë në mitingun e Vuçiqit para 2-3 javëve në Beograd. Aty Zvonko Veselinoviç ishte në radhë të parë, por Radoiçiqi nuk është askund. Frikësohet nga burgosja dhe deportimi në Kosovë. Njerëzit e tij janë këtu aktiv, dhe kanë qenë në Nish në atë rrethin e parë më të ngushtë të sigurimit të Vuçiqit.”
Sormaz në një intervistë për TËVË1, thotë se përveç njerëzve të Radoiçiqit, Vuçiq ruhet edhe nga tifozë dhe grupe kriminale që operojnë në Serbi.
“Ata janë në sigurimin e Vuçiçit, por nuk janë vetë. Janë edhe grupe të tifozëve, grupe kriminele, të cilët me një arsye të thjeshtë janë në mbrojtje të Vuçiçit sepse ai nuk mund t’i besojë më ushtrisë dhe policisë. Është e qartë që policia nuk dëshiron të kalojë atë që e kërkon ligji – të ruajnë rendin dhe qetësinë. E Vuçiqi në anën tjetër kërkon të sjellë përleshjen ndërmjet forcave të rendit dhe qytetarëve. Pra, ata që e mbrojnë Vuçiqin janë këta njerëzit e Radojçiçit dhe disa grupe të tifozëve e kriminale”, thotë ai.
Njerëzit e afërt të Radoiçiqit, Sormaz thekson se shihen çdo ditë pranë ndërtesës presidenciale në Beograd.
“Po u akuzua, po u burgos, apo po u dënua, Radojçiçi mund të tregojë shumëçka, duke ia rrezikuar Vuçiqit pushtetin, të cilin zor se do të mund ta mbajë deri në fund të këtij viti”, thotë Sormaz.
Për muaj të tërë, studentët protestuan kundër politikave të Aleksandar Vuçiq, sidomos pas shembjes së stacionit të trenit në Novi Sad, ku mbetën të vdekur dhjetëra persona.