Ka mbetur vetëm një javë nga takimi më i rëndësishëm i sezonit për PSG dhe Interin, finalja e Ligës së Kampionëve, që do të luhet të shtunën, më 31 maj, në “Allianz Arena” të Mynihut.
Në një intervistë për “L’Équipe”, mbrojtësi i Liverpool-it, Virgil Van Dijk, ka shprehur mendimin e tij për këtë përballje, duke refuzuar që ta shohë skuadrën e Luis Enrique si favorite: “PSG favorit? Jo, nuk mendoj. Kam luajtur së fundmi kundër PSG dhe më la një përshtypje shumë pozitive.
Për sa i përket Interit, e kam hasur më parë dhe njoh mirë dy nga lojtarët e tij, bashkëkombësit e mi Denzel Dumfries dhe Stefan De Vrij.
Ndoshta Interi ka pak më shumë përvojë se PSG, duke qenë se ka luajtur së fundi në një finale të Champions-it (në vitin 2023 kundër Manchester Cityt)”.
Duke u ndalur te parizienët, Van Dijk shtoi: “Më ka impresionuar shumë stili i lojës së PSG, cilësia individuale e lojtarëve dhe angazhimi që kishin në fushë”.