Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurve B. K., B. P. dhe N. P., për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “ushtrimi i ndikimit”.
Sipas njoftimit të gjykatës, “në rastin konkret janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve të lartcekur, sepse duke marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ekziston rreziku që ata të ndikojnë në rrjedhën e procedurës”.
Gjykata thekson se të pandehurit kanë treguar këmbëngulësi në kryerjen e veprës, aq sa përveç komunikimeve fizike dhe telefonike, ata tentojnë t’i mashtrojnë viktimat se kinse janë duke ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje të prokurorit të shtetit, dhe gjatë këtij veprimi janë arrestuar në flagrancë.
Po ashtu, në arsyetimin e vendimit theksohet se të pandehurit kanë pozita shoqërore e profesionale që mund të përdoren për të penguar hetimin, raporton IndeksOnline.
“Duke marrë parasysh pozitat që kanë mbajtur për kohë të gjatë në një rreth të ngushtë siç është qyteti i Prizrenit, afërsinë shoqërore pa përjashtuar edhe atë miqësore që kanë me zyrtarë, të njëjtit do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar drejtpërdrejt në dokumentacionin dhe në dëshmitarë.”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, për njërin nga të pandehurit, B. K., Gjykata thekson se “në bazë të dhënave nga data baza policore… rezulton me të kaluar kriminale”, me gjithsej 16 vepra penale, nga të cilat 13 janë për mashtrim.
Për dy të pandehurit e tjerë thuhet se “mbanin pozita në sistem të drejtësisë (avokat dhe zyrtar i gjykatës në Prizren)”, çka e bën edhe më të ndjeshme çështjen e ndikimit të tyre të mundshëm në hetime.
Gjykata ka vlerësuar se “masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.