“Ecja në shi nuk është thjesht një udhëtim... është kthim në kujtimet e fushëbetejës. Është një ritëm që të rikthen ndjenjën e përkushtimit, qëndresës dhe dashurisë për atdheun. Në çdo hap të lagur, në çdo pikë shiu që bie mbi trup, zgjohet shpirti i luftëtarit që s’njeh lodhje, që ecën për ata që nuk janë më, për idealin që s’u tret kurrë. Ky burrë nuk ecën vetëm – ai bart me vete historinë, plagët dhe krenarinë e një populli të tërë.”
Jeton Arifi, dikur një nga ushtarët më të rinj të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), bart me vete jo vetëm plagët e luftës, por edhe barrën e rëndë të harrimit. I lindur dhe rritur në Konçul të Bujanocit, Jetoni mori armët në duar si adoleshent, në një luftë që nuk kishte të bënte vetëm me territore, por me dinjitetin, identitetin dhe të drejtën për të jetuar i lirë në tokën e të parëve.
Por, kur pushkët pushuan dhe UÇPMB u çarmatos, paqja erdhi me një çmim të hidhur. Si shumë bashkëluftëtarë të tij, Jetoni mbeti pa vendlindje, i dëbuar nga fshati i tij edhe pse ishte falur zyrtarisht nga shteti i Serbisë. E vetmja rrugë për të mbetur gjallë ishte të largohej për në Kosovë, ku u vendos familjarisht në Gjilan. Por në vend që të ndërtonte jetën e re, atje e priste një betejë tjetër—këtë herë kundër harresës, shpërfilljes dhe heshtjes institucionale.
Jeta në Gjilan nuk ka qenë aspak e lehtë. Jetoni dhe shumë ish-ushtarë të tjerë jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe sociale, të shpërndarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, pa përkujdesje institucionale, pa status të qartë, pa mundësi punësimi dhe pa mbështetje për integrim. Kontributi i tyre në historinë e lirisë ka mbetur pa vlerësim.
Jetoni shpesh del vetëm në shi. E ka kthyer në ritual kujtimi. I lagur, ecën rrugëve dhe i lë piklat e shiut të përzihen me lotët e heshtur, ndërsa kujton betejat, shokët e rënë dhe ëndrrën që dikur e kishin për një të ardhme më të mirë në Luginën e Preshevës. Momente të tilla, thotë ai, e afrojnë me dheun që nuk i lejohet ta prekë, me kujtimet që ende digjen nën hirit e një politike të dështuar.
Por, ajo që e dhemb më shumë nuk është vetëm largimi i detyruar, por tradhtia ndaj idealeve për të cilat luftuan ai dhe shumë të tjerë. Klasa politike në Bujanoc, sipas tij, ka bërë shumë pak për të garantuar drejtësi dhe rehabilitim për ish-ushtarët.
“Ne nuk ishim thjesht luftëtarë,” thotë Jetoni, “ne ishim zëri i një populli të harruar. Por sapo pushuan armët, u hesht edhe zëri ynë—këtë herë nga ata që premtonin se do të na përfaqësonin.”
Ai, flet me trishtim për kujtesën selektive të pushtetit lokal, që, sipas tij, ka dështuar të institucionalizojë sakrificën e luftëtarëve të UÇPMB-së. “Emrat tanë nuk janë nëpër pllaka përkujtimore, nuk përmenden në programe, nuk kujtohen në përvjetorë. Jemi si hije që enden mes kufijve—të padëshiruar atje, të pambështetur këtu.”
Megjithatë, Jetoni nuk e ka humbur ndjenjën e qëllimit. Beteja e tij vetëm është zhvendosur—nga fusha e luftës në një përpjekje personale për t’ia kujtuar botës, e veçanërisht popullit të tij, se liria nuk fitohet vetëm me armë, por mbahet gjallë përmes drejtësisë.