Sipas aktakuzës, të pandehurit K.B., B.B., dhe B.I., me datë 22.11.2023 në ora 15:45min në qytetin e Suharekës, në argjendarinë “D.“, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T.B., dhe A.B., me qëllim që t’i sjellin vetes dhe anëtarëve tjerë të grupit dobi pasurore të kundërligjshme.
Të njëjtit, nisen me automjet në drejtim të Suharekës, dhe me të arritur në afërsi të argjendarisë “D”, e ndalojnë automjetin, dhe nga automjeti dalin të pandehurit K.B., B.B., dhe B.I., të shoqëruar me të ndjerin D.G., që të gjithë të armatosur dhe të maskuar, në atë mënyrë që i pandehuri B.B., i armatosur, pret jashtë objektit në rrugë, ndërsa i pandehuri B.I., e kapërcen banakun e argjendarisë duke ia drejtuar armën të dëmtuarit A.B., dhe të njëjtin, e neutralizon në dhomën e pasme të argjendarisë, duke ia lidhur duart, e duke e mbajtur nën kanosje të armës.
Pastaj K.B., së bashku me D.G., fillojnë t’i thyejnë vitrinat, ku kanë qenë të vendosura stolitë e arit, dhe me shpejtësi të madhe e mbushin një thes, dhe me armë në duar dalin nga lokali. Të njëjtit, me shpejtësi nisen në drejtim të veturës, ku ishte duke i pritur i pandehuri B.B., i cili me të parë policinë shkrep disa herë në drejtim të tyre me pushkë gjysmë automatike. Më pas, të njëjtit vazhdojnë nga fshati Sopijë në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezerc të Komunës së Ferizajt, ku nga aty dalin nga automjeti, i marrin stolitë me vete, në sasi prej 3 kilogram e 71 gram, duke i shkaktuar të dëmtuarit T.B., dëm në vlerë prej 133,711.34 euro.
Të njëjtit, pastaj hipin në dy automjete të tjera, dhe nisen në drejtim të Prishtinës, ku njëri nga automjetet ndalet në afërsi të argjendarisë “B.” në Prishtinë, dhe arin e grabitur e dorëzojnë në lokalin e T.B., për ta fshehur dhe pastaj për ta larguar nga aty. Me këto veprime, të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Grabitja” sipas KPRK-së.
Ndërsa, i pandehuri L.C., prej mesit të muajit Nëntor të vitit 2023, e deri në momentin e arrestimit me datën 30.11.2023, me dashje i ndihmon të pandehurit B.B., B.I., K.B., dhe D.G., për kryerjen e veprës penale të grabitjes, ashtu që i jep premtim paraprak se do t’i fshehë provat e kryerjes së veprës penale dhe të pandehurit.
Në anën tjëtër, i pandehuri T.B., prej mesit të muajit Nëntor të vitit 2023, e deri në momentin e arrestimit 30.11.2023 me dashje ndihmon të pandehurit e lartpërmendur, për kryerjen e veprës penale të grabitjes. I njëjti, në argjendarinë e tij “B.” e cila gjendet në Prishtinë, pranon nga të pandehurit B.B., dhe të tjerët, stolitë e arit të grabitura në peshë prej 3 kilogram e 71 gram, duke i fshehur fillimisht në kasafortën e vet, e pastaj pjesën më të madhe e ka dërguar në drejtim të panjohur. Me këto veprime, secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të grabitjes” sipas KPRK-së.
Po ashtu, të pandehurit B.I., B.B., dhe T.B., secili veç e veç, kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
Prokurori i rastit ka propozuar që të bëhet konfiskimi i përhershëm i mjeteve me të cilat janë kryer veprat penale të lartëcekura, si dhe gjësendet e përfituara përmes kryerjes së veprës penale, dhe atë: një mori armësh të kalibrave të ndryshëm, karikatorë, fishekë, stoli ari ngjyrë të verdhë 439.6 gr., stoli të ndryshme ari 1969.55 gr., stoli argjendi 61.67 gr., bizhuteri të ndryshme 1690.14 gr., para të gatshme në vlerë prej 3.178.58 €, vetura të markave të ndryshme, telefona etj.
Gjithashtu, prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.