Ardon Jashari shpallet lojtari më i mirë i sezonit në kampionatin belg

- Bota Sot

Ardon Jashari shpallet lojtari më i mirë i sezonit në kampionatin belg

Mesfushori shqiptar Ardon Jashari është shpallur lojtari më i mirë i sezonit në kampionatin e Belgjikës. 

Ky çmim vjen si shpërblim për paraqitjet fantastike që Jashari ka pasur për klubin e tij në mënyrë konsistente gjatë tërë sezonit. 

Jashari aktivizohet në radhët e gjigantit Club Brugge dhe këtë sezon ka bërë rreth 35 paraqitje në kampionat, ku 31 prej tyre kanë ardhur nga minuta e parë. 

22-vjeçari ka kontribuar në këtë proces me tre gola dhe katër asistime. 

Përkundër luftës së madhe që u zhvillua për titull kampion këtë edicion në Belgjikë, Club Brugge nuk ia doli që të triumfojë në fund. 

Ata përfunduan me 53 pikë të grumbulluara në pozitën e dytë, me Union Saint-Gilloise që u shpall kampion me 56 sosh. 

Situata e Jasharit është një për t’u përcjellur gjatë afatit kalimtar veror, pasi paraqitjet e tij kanë rënë në syrin e disa klubeve të njohura evropiane. 

Më parë ishte raportuar se klube si Juventus, Paris Saint-Germain dhe AC Milan kanë kontaktuar me përfaqësuesit e tij.



Lexoni të gjitha në Bota Sot