Mike Maignan nuk ka kërkuar justifikime pas një sezoni zhgënjyes, në të cilin Milani e mbylli në vendin e tetë të Serie A, jashtë të gjitha garave europiane. Pas protestave të tifozëve gjatë ndeshjes ndaj Monza, portieri francez ka reaguar me një postim në rrjetet sociale, duke u rreshtuar krah tyre, i zhgënjyer nga një sezon katastrofik.
“Zemra është e rënduar, nuk e di sa vuan. Kemi mbyllur një sezon të vështirë. Të gjithë ata që e duan, luajnë për të dhe e mbështesin Milanin, janë të zhgënjyer, – ka shkruar Maignan në “X” (ish-Twitter). – Nuk ka justifikime, ne jemi Milani. Ju them të gjithë tifozëve kuqezinj: me mbështetjen tuaj, Milani do të mbetet gjithmonë Milani. GJITHMONË FORZA MILAN!”
Një mesazh i fortë, që hedh poshtë zërat për një largim të mundshëm të tij, veçanërisht pas fshirjes së “tag”-ut të Milanit nga profili i tij në Instagram.
Me këtë postim, Maignan jo vetëm që konfirmon se dëshiron të vazhdojë me kuqezinjtë, por edhe se është i gatshëm të udhëheqë rilindjen e ekipit që nga sezoni i ardhshëm.