Klubet e mëdhenj italianë janë në kërkim të trajnerëve për sezonin e ardhshëm, me emra të shumtë në qarkullim. Allegri është dëshira e Tares për Milanin, por konkurrohet nga Napoli e Inter, ndërsa për Juventusin është ëndërr rikthimi i Antonio Contes.
Igli Tare ka nisur menjëherë punën për të gjetur trajnerin e ri të Milanit, edhe pse klubi kuqezi e ka aktualisht trajnerin në detyrë. Sergio Conceiçao, që në dhjetor zuri vendin e Paulo Fonsekës, nënshkroi një kontratë që skadon në qershor të vitit të ardhshëm, por ajo ka edhe një klauzolë në favor të klubit, që i lejon ndërprerjen e kontratës nëse sheh që bashkëpunimi nuk është i frytshëm.
Emri i preferuar nga Tare është Massimiliano Allegri, por që aktualisht është kandidati kryesor për të zëvendësuar Antonio Conten te Napoli si dhe Simone Inzaghin te Inter, nëse njëri nga këta largohet. I dyti në radhë është Vincenzo Italiano, por edhe ky pranë rinovimit me Bolonjën. Në planin B janë Roberto Mancini, Thiago Motta dhe Gian Piero Gasperini.
Inter, në rast largimit të Inzaghit, synon Allegrin, por një emër interesant në listë është Cesc Fabregas, aktualisht te Como. Spanjolli shquhet për punën me të rinjtë dhe te Inter janë disa që ai vetë i ka dashur në skuadrën e tij. Ndërkaq, Antonio Conte dëshirohet edhe nga Juventus, që nuk e mban sekret dëshirën për paqe me ish-trajnerin.
Me kualifikimin në Champions League është aktivizuar rinovimi i trajnerit Igor Tudor, megjithatë klubi bardhezi mund të ndahet me të duke paguar një penalitet 1 milion euro.
Drejtori sportiv Giuntoli ka deklaruar se Juventus do të shkojë me Tudor në botërorin e klubeve, por kjo është kundërshtuar nga vetë trajneri, i cili ka thënë që nuk ka kuptim nëse nuk do të jetë edhe më tej në drejtim dhe ka kërkuar sqarim të pozicionit të tij para fillimit të kompeticionit më 18 qershor.
Drejt fundit është edhe aventura e Baronit te Lazio, pas mbetjes jashtë kompeticioneve evropiane. Ndër emrat e dëshiruar për ta zëvendësuar janë Sergio Conceicao e Miroslav Klose, por mund të ketë edhe një kthim të bujshëm të Maurizio Sarrit, ndërkohë që Gilardino e Vieira nuk duket se i ngrohin tifozët.