Presidenti lituanez, Gitanas Nausëda, kërkoi të martën sanksione më të ashpra nga Bashkimi Evropian kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, duke thënë se paketa e ardhshme e sanksioneve të BE-së kundër Moskës duhet të ngjajë me një "koktej Molotovi".
“Putini po e kthen të gjithë botën kundër tij dhe ai me të vërtetë meriton sanksione shumë më të rrepta se ato që janë në fuqi sot”, tha Nausëda për televizionin shtetëror të vendit baltik.
"Shpresoj vërtet që partnerët tanë në Bashkimin Evropian ta kuptojnë se paketa e 17-të e sanksioneve ishte vetëm një ngrohje. Ne duhet të përgatisim një paketë të 18-të sanksionesh që (ndikimi i tyre) ti ngjajë vërtet një kokteji Molotovi", theksoi presidenti lituanez.
Javën e kaluar, BE-ja miratoi paketën e 17-të të sanksioneve kundër Rusisë, të cilat synojnë anijet cisternë fantazmë të flotës në hije të Rusisë, të cilat e ndihmojnë Moskën të anashkalojë sanksionet që godasin eksportet ruse të naftës.
Një paketë e 18-të sanksionesh që është në diskutim parashikon konkretisht sanksione kundër Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, deklaroi Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
"Po përgatiten edhe sanksione të tjera kundër Rusisë. Sa më gjatë që Rusia të vazhdojë luftën, aq më e ashpër do të jetë përgjigjja jonë", tha javën e kaluar shefja e politikës së jashtme evropiane, Kaia Kalas.
Lituania ka qenë një nga mbështetëset më të zjarrta të Kievit që nga fillimi i pushtimit rus. Rusia ka ndërmarrë sulme ajrore masive kundër Ukrainës gjatë ditëve të fundit. Sulmet u dënuan gjerësisht, përfshirë edhe nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump, i cili kërcënoi Rusinë me sanksione të reja dhe akuzoi Presidentin rus Vladimir Putin se ishte "çmendur plotësisht". Nausëda tha se ishte dakord me vlerësimin e Trump.
"Këto janë fjalë të forta dhe një deklaratë absolutisht e përshtatshme, sepse kjo na ka qenë e qartë prej kohësh", tha Naousseda.