Dënohen me burgim të përjetshëm vëllezërit Vllasaliu për vrasjen e biznesmenit Rexhepi

- Gazeta e Prizrenit

Dënohen me burgim të përjetshëm vëllezërit Vllasaliu për vrasjen e biznesmenit Rexhepi

Me burgim të përjetshëm janë dënuar Jeton dhe Nexhat Vllasaliu për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi.

Kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi, ka thënë se ata janë fajtorë për dy vepra penale: vrasje e rëndë dhe dëmtim i varrezave apo kufomave.

Sipas aktakuzës, në periudhën 9 janar 2021 – 8 prill 2021, vëllezërit Vllasaliu kishin planifikuar për ta vrarë Bedri Rexhepin me qëllim të përfitimit të pasurisë.

Viktima, sipas aktakuzës, ishte vënë në lajthitje nga vëllezërit Vllasaliu duke ofruar për shitje dy vetura në vlerë prej 30 mijë eurosh. Më 8 prill 2021, Rexhepi kishte shkuar në shtëpinë e njërit të pandehur. Aty sipas aktakuzës, Jetoni duke e ngufatur e ka mbytur Rexhepin, duke menduar se e ka me vete shumën e të hollave prej 30 mijë eurosh, siç ishin pajtuar për shitjen e veturave.

 

Mirëpo, sipas aktakuzës, tek viktima ishin gjetur 8 mijë euro. Vëllezërit i kishin ndarë mjetet dhe më pas e kishin dërguar kufomën në katin e tretë të shtëpisë dhe kanë provuar t’i fshijnë provat duke e varrosur.

Mbetjet mortore të Rexhepit ishin gjetur më 30 shtator 2022 në vendon e quajtur Mali i Madh në Vllasali të Novobërdës.

Të dy të dënuarit në seancën fillestare ishin deklaruar të pafajshëm.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit