Kushtet e presidentit Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë përfshijnë një kërkesë që udhëheqësit perëndimorë të zotohen me shkrim për të ndaluar zgjerimin e NATO-s drejt lindjes dhe për të hequr një pjesë të sanksioneve ndaj Rusisë, sipas tre burimeve ruse me njohuri për negociatat.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë vazhdimisht se dëshiron t’i japë fund konfliktit më vdekjeprurës evropian që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ka treguar zhgënjim në rritje me Putinin ditët e fundit, duke paralajmëruar të martën se udhëheqësi rus po “luante me zjarrin” duke refuzuar të angazhohej në bisedime për armëpushim me Kievin, ndërsa forcat e tij po përparonin në fushën e betejës, raporton reuters.
Pasi foli me Trumpin për më shumë se dy orë javën e kaluar, Putini tha se kishte rënë dakord të punonte me Ukrainën për një memorandum që do të përcaktonte konturet e një marrëveshjeje paqeje, duke përfshirë edhe kohën e një armëpushimi.
Rusia thotë se aktualisht po harton versionin e saj të memorandumit dhe nuk mund të vlerësojë se sa kohë do të zgjasë kjo. Kiev dhe qeveritë evropiane e kanë akuzuar Moskën për zvarritje ndërsa trupat e saj përparojnë në Ukrainën lindore.