Talenti i madh i Bashkimit

- Bota Sot

Talenti i madh i Bashkimit

Hebib  Saiti ishte një nga lojtarët më titullar te skuadra e Bashkimi 1947 nga Kumanova gjatë kampionatit të Ligës së Dytë për sezonin 2024/25, i cili përfundoi para pak ditësh.,.

Ai në çdo ndeshje ka dhënë kontribut të madh për skuadrën e tij.

Saiti ka zhvilluar 28 ndeshje këtë edicion, duke lënë gjurmë sa herë që ka luajtur.

Sulmuesi anësorë 19-vjecar ka qenë fantastik, duke e mbyllur sezonin me 5 gola e rreth 20 asistime dhe kjo ka bërë që forma e tij të vlerësohet nga stafi teknik.

Në një intervistë për Open-TV, Saiti flet për sezonin më të mirë në karierë, golat e asistimet si dhe të ardhmen e tij.

“Ky sezon ishte mjaftë i vështirë dhe sfidues, por shumë i vlefshëm për mua dhe Bashkimin, pasi pas gati dy dekadash u kthyem në Ligën e parë, duke realizuar ëndrrën e tifozëve tanë të flaktë Ilirët dhe dashamirëve të shumtë të Bashkimi 1947 në Kumanovë dhe diasporë.

Kam punuar çdo ditë për të qenë gati për çdo ndeshje, ku jampërpjekur ta shfrytëzoj maksimalisht.

Edhe ju jeni dëshmitarë të ndodhive të fundit, por ne asnjëherë nuk jemi dorëzuar, përkundrazi jemi bërë edhe më të fortë vetëm e vetëm Bashkimin ta çojmë aty ku e ka vendin-Ligën e Parë. Dhe, në fundjavë ia arritëm qëllimit, ku treguam se drejtësia është anën tonë”, tha fillimisht Saiti për Open-TV.

Saiti është i lumtur me atë që ka dhënë këtë edicion me fanellën zigjelbër të Bashkimit.

“Po, ndihem i lumtur dhe shumë krenar me atë që kam arritur këtë sezon. Kthimi në Ligën  e parë është shpërblim i përkushtimit dhe mbështetjes që kam marrë nga familja, trajnerët, bashkëlojtarët, tifozët dhe të tjerët. Unë jam sulmues dhe dëshira ime është të kontribuojë me gola dhe asistime. Kam shënuar 5 gola dhe rreth 20 asistime, por goli ndaj Besës nga Dobërdolli në ndeshjen e balotazhit në Kavadar ishte më i lumturi deri tani”, shton tutje Saiti.

Hebib Saiti te Bashkimi në krahë e ka vëllain e tij më të vogël Ensarin (17 vjec).

Ai thotë se është një moment i bukur sa herë luan përkrah tij.

“Ne jemi nga fshati Rramanli dhe me vëllain vijmë së bashku në stërvitje dhe ndeshje. Sigurisht që kur jemi në fushë së bashku ndjenja është e veçantë, pasi luajmë për Bashkimin, një emër që simbolizon shumëçka. Shpresojmë që edhe në Ligën e parë do të luajmë një rol të rëndësishëm”, tha Saiti.

Talenti Hebib Saiti është nga fshati Rramanli i Kumanovës. Ai në moshën 15 vjeçare ka nisur të merret me futboll te KF Kumanova, ku për trajner e ka pasur Erkan Jusufin.

Normal si çdo i ri edhe Saiti ka ëndrrat e tija. Ai dëshiron që një ditë të luaj për Barcelonën në Spanjë.
Saiti zbulon idhujt e tij janë ylli Kosovar, Edon Zhegrova dhe ai brazilian Nejmar.



Lexoni të gjitha në Bota Sot