Skema, pikat kyçe të formacionit

- Bota Sot

Skema, pikat kyçe të formacionit

Milani ka zgjedhur Massimiliano Allegrin.

Lëvizja e befasishme e drejtorit të ri sportiv, Igli Tare, ka pasur sukses dhe trajneri nga Livorno është gati të rikthehet në pankinën e “Djallit”, pas eksperiencës së parë nga vera e vitit 2010 deri në janar 2014, që solli në arkivat e kuqezinjve një titull kampion (i pari në karrierën e tij) dhe një Superkupë të Italisë, por përfundoi me shkarkim.

Për Milanin e tij të vjetër dimë pothuajse gjithçka, por si do të jetë skuadra që do të formojë tekniku livornez, pas 6 titujve kampion dhe 2 finaleve të Ligës së Kampionëve me Juventusin? Një përgjigje të parë e ka dhënë miku dhe mentori i tij i madh, Giovanni Galeone:

“Leao do të nxirrej edhe më në pah nga Max, po ashtu edhe Pulisic. Të dy do të ishin pikat e tij të forta. Edhe Theo, sipas mendimit tim, do të ndryshonte sjellje me të. Le të kujtojmë që edhe Pogba nuk ishte i lehtë për t’u menaxhuar.

Skema? Do të luante me 4-2-3-1, por do t’i duheshin 3-4 përforcime, sidomos në mbrojtje, ku Pavloviç ka treguar se nuk është në nivelin e duhur (Gila i Lazios, që Tare e njeh shumë mirë, mund të bëhet një mundësi)”. Galeone u shpreh i bindur se me Allegrin në pankinë, “Djalli” do të rikthehej të luftonte për titullin: “Me siguri mund të konkurrojë për kampion”.

Sa i përket mbrojtjes, me ardhjen e ish-trajnerit të Juventusit synohet edhe qëndrimi i Theo Hernandez, ndërsa në të djathtë, duke qenë se Walker nuk do të qëndrojë, objektiv mund të bëhet sërish Matty Cash i Aston Villa, gjithmonë në radarin e Moncada.

Duke marrë të mirëqenë që skema do të jetë 4-2-3-1, modul që Allegri e ka përdorur shpesh, do të duhen të paktën dy blerje në mesfushë: një për t’i qëndruar pranë Fofana dhe një për rolin e fantazistit, për të zëvendësuar Tijjani Reijnders, i cili gjithsesi duket se është i destinuar të shkojë te Manchester City.

Një alternativë taktike mund të jetë 3-5-2, skemë që mund të favorizojë Santiago Giménez, një qendërsulmues tipik zone, dhe jo i përfshirë shumë në ndërtimin e aksioneve, që ka nevojë për mbështetje nga skuadra për të dhënë maksimumin.

Në janar është bërë një investim i rëndësishëm për meksikanin, ndaj ai do të jetë pa dyshim pjesë qendrore e projektit të ri teknik. Për të mësuar se kush do të luajë përkrah tij sezonin e ardhshëm, duhet pritur merkatoja.



Lexoni të gjitha në Bota Sot