Tifozët e Real Madridit kanë befasuar me banerin e ri, të cilin e shfaqën sot.
Në fakt, përballë qendrës stërvitore “Valdebebas” u pa një baner, në të cilin shkruante: “Florentino, riktheje Cristianon!”
Tifozët madrilenë po duan që presidenti Florentino Perez ta rikthejë veteranin e sulmit, të paktën për Botërorin e Klubeve, i cili do të mbahet nga 15 qershori deri më 13 korrik.
Në javët në vazhdim “CR7” do t’i skadojë kontrata me Al Nassr dhe postimi i tij i fundit për mbylljen e një kapitulli la të kuptohet se 40 vjeçari e ka mbyllur aventurën në Arabinë Saudite.
Prandaj edhe tifozët e “Los Blancos” kërkojnë nga krerët e klubit që ta rikthejnë Ronaldon, të cilin duan ta shohin të luajë përsëri për Real Madridin, së paku në Botërorin e Klubeve, i cili do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë verë.
Ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Manchester Unitedit dhe Juventusit ka lënë gjurmë në Madrid dhe tifozët e këtij klubi nuk do ta harrojnë kurrë kontributin e tij.