Ukraina ka përdorur për herë të parë në luftime një “dron nënë” të bazuar në inteligjencë artificiale – një sistem i përparuar i aftë të dërgojë dy dronë sulmues deri në 300 kilometra në territorin e armikut.
Zëvendëskryeministri i Ukrainës për Inovacionin dhe Ministri i Transformimit Dixhital, Mykhailo Fedorov, njoftoi zhvillimin në Telegram , duke ndarë një video të dronit në veprim, raporton Ukrinform.
Sipas Fedorov, dronët e mundësuar nga inteligjenca artificiale tashmë veprojnë në fushën e betejës. Grupi i teknologjisë së mbrojtjes së Ukrainës, Brave1, zhvilloi sistemin e ri të inteligjencës artificiale, i cili rrit ndjeshëm saktësinë dhe efektivitetin e sulmeve ndaj objektivave ruse.
“Droni nënë mund të mbajë dy dronë sulmues FPV deri në 300 kilometra.
Këta dronë identifikojnë dhe shkatërrojnë në mënyrë autonome objektivat – nga avionët armik te sistemet e mbrojtjes ajrore dhe infrastruktura kritike. Nëse rrezja e misionit është brenda 100 kilometrave, droni nënë mund të kthehet dhe të ripërdoret”, tha Fedorov, transmeton KosovaPress.
Ai vuri në dukje se një mision kushton rreth 10,000 dollarë – qindra herë më lirë se lëshimi i një rakete, e cila mund të kushtojë 300 deri në 500 herë më shumë.