Ramize Gjebrea ishte një partizane e Luftës së Dytë Botërore, e akuzuar për sjellje imorale nga një gjykatë e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, dhe e pushkatuar në fshatin Ramicë, Vlorë në 1944-ën.
Gjebrea e ekzekutua më 5 mars të vitit 1944, pa asnjë provë, por me urdhër nga lart, që kurrë nuk u mor vesh nga cili nënshkruhej. Ajo ishte e fejuar me Nako Spirun, por nga disa letra doli që kishte nisur një histori dashurie me Zaho Kokën. Ramizeja ishte përgjegjëse e rinisë, ndërsa ai zv. Komisar i Brigadës. Në 22 apo 23 shkurt 1944, u arrestua. Dokumentet dëshmojnë se vetëm 3 ditë më vonë u zhvillua gjyqi partizan që gjykoi Ramize Gjebrenë e që përbëhej nga: Manush Myftiu (kryetar i gjyqit), Dervish Hekali, Bilbil Klosi, Ramadan Xhangolli.
Gjyqi filloi më 25 shkurt dhe përfundoi më 6 mars. Por dënimin Gjebresë ia dha gjyqi politik i partisë, i cili përbëhej nga: Hysni Kapo, Shefqet Peçi, Manush Myftiu, Bilbil Klosi, Pajo Islami, Hito Çako dhe Xhako (Ramadan Xhangolli), i deleguari i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste Shqiptare. Ajo u kritikua për shkeljen e moralit partizan. Ishte një kohë kur partizanët përfliteshin për moralin e tyre nga kundërshtarët politikë për shkak që kishin marrë edhe femra në ushtrinë e tyre, çfarë kishte ndikuar në reputacionin e tyre. Ramize Gjebrea u pushkatua para gjithë Brigadës së saj nga dy partizanë dhe një partizane në fshatin Ramicë të Vlorës.
Ishte një dënim tronditës për të gjithë anëtarët e Brigadës që e çmonin Ramizenë. Zaho Koka u fal, por pas disa muajsh edhe ai ndërroi jetë, pasi i doli përpara autokolonës së gjermanëve. Pas ekzekutimit prapa shpine, nga Gjykata e Brigadës së V-të, Gjykata e Lartë, në vitin 1945, kreu një gjyq formal, ku u hetua rreth pafajësisë apo jo, të fajit të saj, por jo për fajtorët e vërtetë të krimit. Ndërkohë që gjyqi u zhvillua me dyer të mbyllura, për publikun, Nako Spiru- i fejuari i saj – e mbështeti figurën e saj gjatë gjithë kohës.
Fjalët e fundit
Shkrimtari Ismail Kadare e ka përshkruar në këtë mënyrë ditën e ekzekutimit të partizanes 21 vjeçare.
“Po gdhin më në fund mëngjesi i dënimit. Ramona, e hutuar krejt, del nga hauri. Sytë i lëbyren, mezi i hedh hapat. I kanë thënë se do të flasë përpara brigadës dhe kjo i ka përtërirë shpresën e faljes. Tek ecën, kërkon me sy Zaho K., bashkëfajtorin, që duhet të ishte i lidhur si ajo, por nuk e sheh kund. Me një shpresë të fundit, kërkon të fejuarin, Nako S., por as ai s’duket. Duket vetëm brigada e rreshtuar në pllajë, një mur hijerëndë, që hesht. Tri vajza partizane, me armë në duar, pakëz mënjanë, ndjekin me sy të turbullt ecjen e së vetmuarës. Ajo i afrohet një flamurthi, ku ndoshta duhet të ndalonte për të folur. Ndërkaq, midis heshtjes ndihen krisma. Dhe midis krismave, dëgjohet zëri i saj: ç’janë këta plumba! Kthen kryet dhe, si në mjegull, sheh tri vajzat partizane që shtien drejt saj. Por, ngaqë iu dridhen duart, plumbat s’e kapin. Bëhet gati të klithë përsëri: ç’janë këta plumba?, kur një partizan, me sy të çakërritur, shkëputet nga rreshti dhe i turret pas për të zbrazur pas qafës së brishtë të vajzës, armën e tij. Ramona bie më në fund, për të mos u ngritur më”, ka shkruar Kadare.
Në librin e tij “Dashuri & Plumba” Dr. i Shkencave Pavllo Gjidede shkruan se dosja e Ramize Gjebresë për herë të parë është hapur në fillim të viteve ’70, por më gjerësisht ajo është bërë e njohur në vitet e demokracisë. Por ligji përcakton se për çështje intime, një dosje hapet vetëm pas 100 vjetësh. E në këtë rast, pjesa themelore ka të bëjë me një çështje intime, nga e cila ka ardhur dhe reagimi i ashpër që e dënoi atë me vdekje. Studiuesi Pavllo Gjidede, i cili është marrë gjatë me hetimin e kësaj historie, ka mundur të nxjerrë në dritë dhe një pjesë nga ditari personal i Ramize Gjebresë. Në ditarin e saj janë shkruar këto fjalë: “Sot do të shkruaj dhe për ndjenjat e mia. Në të vërtetë kam dëshirë, që edhe sot, edhe nesër të më kuptojnë shokët dhe shoqet. Secili ka dëshirë të pëlqehet dhe të kuptohet. Edhe unë për të krijuar një lidhje të re me njerëzit… S’më kanë parë sytë djalë si ky!
Më duket sikur jam rritur me të. Më pëlqen ta dëgjoj kur flet… Megjithëse e qortoj veten për shkujdesje, përsëri më tradhtojnë sytë, kur i kryqëzoj me sytë e Zahos”. Dhe duket se kjo shkujdesje ka sjellë dhe pjesën tjetër të problemit tragjik. Për 10 ditë rresht Ramize Gjebrea dhe Zaho Koka janë mbajtur të izoluar në dhoma të ndryshme. Ekzekutimi i krye në 6 mars ’44. Thuhet se dy orë më vonë në Shtabin e Brigadës së 5-të mbërriti një letër e Enver Hoxhës ku urdhërohej: “Asnjëri të mos ekzekutohet”. Ka mbërritur apo jo një letër e tillë, është pak e besueshme. Studiuesi Pavllo Gjidede vë dyshimin vërtetësinë e këtij thashethemi pasi sipas tij asgjë arkivore nuk e pohon një gjë të tillë. Megjithatë në Arkivin Qendror të Shtetit ndodhet një letër e firmosur nga Enver Hoxha dhe Miladin Popoviç, drejtuar Nako Spirut ku shkruhet: “… Megjithëse djallja (lexo Ramizeja) s’ishte sjellë mirë, por prapë dënimi i dhënë ishte shumë i rëndë. Çështja e dashurisë së lirë është shumë delikate dhe shokët nuk e kanë kuptuar… Shokët e Brigadës, të alarmuar, panë punën që kishte bërë Ramizeja… dhe morën atë vendim të shpejtuar, pa pyetur Komitetin Qendror”.
Kush e dha urdhrin
Sipas të dhënave të fundit arkivore, ka qenë Dushan Mugosha (Dusan Mugosa), delegati i Partisë Komuniste Jugosllave (asaj kohe ndihmonte partizanët, në Ramicë të Vlorës) së bashku me anëtarë të tjerë të Gjykatës së Brigadës së V-të Sulmuese, ata, të cilët kanë dhënë urdhrin për ekzekutimin e Ramize Gjebresë. Kjo e fundit, mësohet nga Nijaz Dizdareviç, konsulenti jugosllav në ndihmë të rinisë shqiptare, gjatë kohës së Luftës, i cili në vitin 1988, boton një libër në gjuhën serbo-kroate, të titulluar “Albanski Dnevnik” (Tipografia “Globus”, në Zagreb të Kroacisë). “Ramize Gjebrea nuk është vrarë pa dijeninë e Dushan Mugoshës”! Liri Belishova, e cila më vonë u bë gruaja e Nako Spiro, dëshmoi në një intervistë të vitit 2010 që gjykata partizane kish ndjekur urdhër nga Enver Hoxha për të ekzekutuar Gjebrean. Sipas Belishovës, urdhri i Hoxhës u bazua në rekomandimet e Dushan Mugoshës, i dërguari i Josip Broz Titos për të ndihmuar lëvizjes çlirimtare kombëtare.
Ajo, gjithashtu, tha se Gjebrea kishte një inteligjencë dhe gojëtari që ishin të pakrahasueshme me ato të grave të tjera shqiptare të përfshira në ushtrinë çlirimtare dhe se përpara se të dilte partizane kishte qenë femra e vetme që marrë pjesë në veprimet guerilase ne qytet. Në dhjetor të 2013, revista “Shqiptarja” botoi për herë të parë ditarin personal të Gjebreas. Në përshkrimin e dosjes ku ruhet (76/1, fondi 14, A.Q.SH) bëhet ky përshkrim: “Ditar i mbajtur nga shoqja Ramize Gjebrea (dorëshkrim), ku pasqyrohen lëvizjet e saja nga Tirana-Berati-Vlora-GjirokastraBrigadën e I-rë etj., ku shkruan mbi ngjarjet e rëndësishme si: njoftimin që ka marrë për vrasjen e shokut Ramiz Aranitasi dhe varrimin e tij (23-25/6/ 1943); fillimin e punimeve në mbledhjen e Ramicës Vlorë 2.8.1943; takimin me D. [Detin = Nako Spiro] më 26.10.1943 dhe bazat e saj në Tiranë, etj.; mbledhjen e aktivit të Partisë të Qarkut Vlorë më 7-9/12/1943 në Ramicë; mbledhjen e konferencës për zgjedhjen e Komitetit të Rinisë Antifashiste në Kuç 17/12/1943; mbi gjendjen shëndetësore, etj.
Ditari është i shkëputur më datat 9-15/I/1944, kohë në të cilën ka qëndruar në Ramicë të Vlorës”. Ramize Gjebrea lindi në Gjirokastër në 1923. Studioi në shkollën e mesme “Nana Mbretneshë”. Më vonë u arrestua nga fashistët në vitin 1942, por u lirua për shkak të mungesës së provave, dhe më pas iu bashkua lëvizjes nacionaçlirimtare, fillimisht si sekretare e rinisë së Beratit dhe pastaj si pjesë e shtabit të Brigadës së V Sulmuese. Ramize Gjebrea shquhej për oratorinë e saj dhe emri i luftës ishte Ramona. Ramize Gjebrea, pushkatohet në 5 mars të vitit 1944, pa asnjë prove.