Serbia thotë se do t’i hetojë akuzat nga Rusia se e furnizoi Ukrainën me armë

- Bota Sot

Serbia thotë se do t’i hetojë akuzat nga Rusia se e furnizoi Ukrainën me armë

Serbia dhe Rusia do ta kryejnë një hetim të përbashkët për atë se si municionet e prodhuara nga Serbia arritën në Ukrainë, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Moska e akuzoi Beogradin të enjten për furnizimin e Kievit me armë.

Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) e akuzoi Beogradin për "thikë pas shpine", duke thënë se prodhuesit serbë të armatimit po shisnin municione dhe armë në Ukrainë.

"Ato [shitjet e armëve] kanë një qëllim të qartë – të vrasin dhe plagosin personelin ushtarak rus dhe popullsinë civile", thuhet në një komunikatë të SVR-së të publikuar në faqen e saj zyrtare të enjten.

SVR-ja pretendoi se Serbia dërgon armë në Ukrainë përmes ndërmjetësve të NATO-s, duke përfshirë Republikën Çeke, Poloninë dhe Bullgarinë, si dhe disa vende afrikane.

Serbia vazhdon ta ruajë një baraspeshë midis lidhjeve historike me Rusinë dhe Bashkimin Evropian.

Beogradi e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, por deri më tani nuk ka pranuar t’i bashkohet Perëndimit në sanksionimin e Moskës.

Vuçiq tha për televizionin shtetëror, RTS, se kishte biseduar për eksportet e armëve serbe në Ukrainë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij në Moskë më 9 maj dhe i mohoi disa prej akuzave të SVR-së.

"Ne kemi krijuar një grup pune, së bashku me partnerët rusë, për t’i zbuluar faktet. Disa nga gjërat që janë thënë nuk janë të vërteta", tha Vuçiq për RTS-në të enjten mbrëma.

Sipas një dokumenti të klasifikuar të Pentagonit, Serbia në vitin 2023 ishte pajtuar ta furnizonte me armë Kievin, pavarësisht se deklarohej si neutrale ushtarakisht.

Moska e ka kritikuar disa herë Beogradin për këtë çështje.

Industria e mbrojtjes e Serbisë prodhon armë dhe municione me dizajne që rrjedhin kryesisht nga teknologjia ushtarake sovjetike e viteve ‘80, të ngjashme me ato që përdoren si nga Ukraina, ashtu edhe nga Rusia.

"Fabrikat tona duhet patjetër të jetojnë dhe të punojnë. Rreth 24.000 njerëz punojnë drejtpërdrejt në industrinë e mbrojtjes", tha Vuçiq.

Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por Rusia, një aleate sllave dhe ortodokse, mbetet furnizuesi më i madh i gazit për vendin, dhe rafineria e vetme e naftës në Serbi është në pronësi pothuajse të plotë të Gazpromit dhe Gazprom Neftit rus.

Megjithëse Beogradi nuk ka pranuar t’i bashkohet Perëndimit për të vendosur sanksione kundër Rusisë për pushtimin e Ukrainës, ai i ka dënuar politikat e Moskës në Kombet e Bashkuara dhe ka shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës, përfshirë territoret e mbajtura nga Rusia.

Vuçiq gjithashtu është takuar të paktën tri herë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky./rel



Lexoni të gjitha në Bota Sot