Merkatoja e trajnerëve këtë verë po shfaqet si një mozaik gjithnjë e më kompleks. Çdo lëvizje në një stol shkakton efekt zinxhir në të tjerët, duke e bërë “puzzle”-in teknik të vështirë për t’u plotësuar.
Së fundmi, është Roma që po përballet me një ndryshim të papritur: Gian Piero Gasperini nuk është më i sigurt për të marrë drejtimin e skuadrës verdhekuqe.
Vendimi i Antonio Contes për të qëndruar te Napoli dhe lëvizja e Massimiliano Allegrit drejt Milani, kanë lënë të lirë pankinën e Juventusit. Për momentin, bardhezinjtë pritet të mbajnë Igor Tudorin deri në Botërorin e Klubeve, por në horizont po shfaqet një tjetër emër: ai i Gasperinit.
Trajneri i Atalantës, që sapo ka përfunduar një sezon historik me fitimin e Europa League, ka një lidhje të veçantë me Juventusin – aty ku nisi karrierën si trajner në sektorin e të rinjve gjatë viteve ’90 dhe 2000. Edhe pse deri pak ditë më parë dukej pranë marrëveshjes me Romën, ku pati një takim pozitiv me familjen Friedkin, situata ka ndryshuar.
Zgjedhja e Contes dhe disa pasiguri lidhur me rregullat e Fair Play Financiar kanë sjellë stepje nga ana e kryeqytetasve. Në këtë kontekst, dhe përballë mundësisë për të realizuar ëndrrën e tij të vjetër për të drejtuar Juventusin, Gasperini ka vendosur të marrë kohë për të reflektuar dhe për të bërë zgjedhjen e duhur për të ardhmen e tij.