Padia lidhet me vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, për të cilin DHTIK pretendon se është marrë me “shkelje të rënda ligjore dhe procedurale”.
“Ne besojmë fuqishëm se ky vendim i ZRRE-së është i nxituar, arbitrar dhe i papërgatitur mirë, me pasoja të drejtpërdrejta për qëndrueshmërinë financiare të bizneseve që do të preken nga ky vendim”, thuhet në reagimin e Dhomës.
Sipas saj, vendimi është marrë pa konsultime paraprake me palët relevante dhe pa një analizë të thelluar të tregut, duke rrezikuar jo vetëm stabilitetin financiar të ndërmarrjeve, por edhe vendet e punës në vend.
Për më tepër, Dhoma e Tregtisë ngre shqetësimin se, ndonëse është deklaruar se tregu është liberalizuar, aktualisht është vetëm një kompani – KESCO – që po ofron furnizim për bizneset.