Një rast i vjedhjes i tillë është zbardhur nga hetuesit në Prizren, pas disa muajsh hetime intensive. Gazeta Sinjali mëson se bëhet fjalë për vjedhjen e një veture të tipit Audi A3, që ishte raportuar si e humbur në nëntor të vitit të kaluar.
Burime brenda hetuesisë bëjnë me dije se viktima, G.T., rreth 54-vjeçar, kishte paraqitur rastin më 16 nëntor 2024, duke raportuar se vetura e tij me ngjyrë të kaltër dhe vlerë rreth 4000 euro, ishte vjedhur më 14 nëntor, në rrugën “Adem Jashari” në Prizren. Automjeti ishte parë për herë të fundit nga vëllai i tij, A.T, që e kishte në përdorim.
Fillimisht ishte verifikuar nëse automjeti ishte tërhequr nga Policia, por pas kontrolleve të bëra rezultoi se ajo nuk ishte konfiskuar apo bartur nga ndonjë auto-bartëse zyrtare. Hetuesit kanë nisur hetimet dhe kanë analizuar prova të mbledhura nga vendi i ngjarjes, përfshirë video-incizime, të cilat çuan në identifikimin e të dyshuarit – A.K., rreth 17-vjeçar.
I dyshuari, që ndërkohë ishte arrestuar për vepra të tjera penale dhe ishte në listën e të kërkuarve për vuajtje dënimi, është intervistuar më 26 maj 2025, ku ka pranuar se ku ndodhej vetura e vjedhur. Në bazë të kësaj dëshmie, njësitet hetimore kanë vepruar menjëherë dhe e kanë lokalizuar automjetin në qytetin e Pejës, afër një palestrës sportive në rrugën “UÇK”.
Vetura është gjetur në gjendje të rregullt dhe menjëherë është informuar viktima, i cili është ftuar të marrë në posedim automjetin e tij.
Hetimet lidhur me këtë rast vazhdojnë, ndërsa ndaj të miturit A.K. janë duke u ndjekur procedurat ligjore për vjedhjen e rëndë, krahas veprave të tjera për të cilat është në ndalim.