Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të premten se Rusia po bën gjithçka që mundet për të siguruar që bisedimet e ardhshme të mundshme të paqes “të mos sjellin rezultate”.
Pas takimit të tij me Ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan në Kiev, Zelensky tha se ata diskutuan përpjekjet diplomatike dhe falënderoi Turqinë dhe Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan për “mbështetjen e përpjekjeve tona për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
“Në veçanti, për ndihmën e tyre në organizimin e takimit që bëri të mundur lirimin e një mijë njerëzve tanë nga robëria ruse. Kthimi i të gjithë ukrainasve të mbajtur nga Rusia është një nga prioritetet tona kryesore”, shtoi ai.
Ai tha se Rusia vazhdon të injorojë thirrjet për armëpushim dhe se ende nuk ka paraqitur një memorandum që përshkruan parimet kryesore për një zgjidhje.
“Rusia vazhdon të injorojë të gjitha thirrjet nga bota për të ndaluar zjarrin dhe vazhdon vrasjet e saj”, tha Zelensky, duke shtuar se “Rusët nuk kanë qenë në gjendje të paraqesin të ashtuquajturin ‘memorandum’ që kishin premtuar të përgatitnin menjëherë pas shkëmbimit 1,000 për 1,000. Ukraina nuk ka marrë asnjë dokument prej tyre — as Turqia”.
Presidenti ukrainas theksoi se që një takim të jetë kuptimplotë, axhenda e tij duhet të jetë e qartë dhe negociatat duhet të përgatiten siç duhet.
“Ne e vlerësojmë të gjithë bashkëpunimin tonë me Turqinë që synon ta bëjë diplomacinë efektive. Jemi mirënjohës për qëndrimin e qartë të Turqisë – mbështetje të vazhdueshme dhe të plotë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, shtoi ai.
Raundi i dytë i negociatave të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës është propozuar për 2 qershor në Stamboll, pas takimit të 16 majit ku të dyja palët ranë dakord për një shkëmbim të të burgosurve dhe përgatitjen e draft dokumenteve për të çuar përpara përpjekjet e paqes.
Ndërsa Rusia këmbëngul se do ta paraqesë draftin në bisedime, pala ukrainase ka kërkuar që dokumenti të paraqitet menjëherë.