Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, la të kuptohet se Gjermania nuk do të lejojë më dërgimin e armëve në Izrael, nëse ato mund të përdoren nëRripin e Gazës. “Në parim, është e qartë se Izraeli do të marrë armë nga Gjermania””, tha politikani i CDU-së për gazetën Süddeutsche Zeitung. Izraeli përballet me kërcënime serioze për sigurinë dhe ekzistencën e tij - për shembull nga milicia Huthi, Hezbollahu ose Irani. Izraeli duhet të jetë në gjendje të mbrohet prej tyre edhe me sisteme armësh gjermane.
"Një pyetje tjetër është nëse ajo që po ndodh në Rripin e Gazës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare", shtoi ai. "Ne po e shqyrtojmë këtë dhe bazuar në këtë shqyrtim do të vendosim nëse do të miratojmë dërgesa të mëtejshme armësh."
Ndryshim toni në politikën gjermane ndaj Izraelit
Për herë të parë që nga fillimi i luftës në Gazë, kancelari Friedrich Merz kritikoi këtë javë qartë veprimet ushtarake të Izraelit: Sinqerisht, nuk e kuptoj më me çfarë qëllimi po vepron ushtria izraelite në Gaza. Vënia në shënjestër e popullsisë civile nuk mund të justifikohet më si luftë kundër Hamasit, tha Merz gjatë një interviste për programin Forum Europa të radios WDR.
Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, theksoi të drejtën e palestinezëve për të jetuar në Gazë dhe Bregun Perëndimor dhe kërkoi një zgjidhje me dy shtete.
Deklaratat e tyre tregojnë një ndryshim të tonit në politikën gjermane ndaj Izraelit, sepse në Gjermani, që ka qenë tradicionalisht aleate e fortë e Izraelit, tani po shtohen kritikat për situatën humanitare në Gazë./DW