Sulmet ajrore ruse në rajonet në vijën e frontit në Ukrainë kanë vrarë të paktën shtatë persona dhe kanë plagosur disa të tjerë, thanë zyrtarët ukrainas më 31 maj, teksa ka pasiguri nëse negociatorët nga të dyja shtetet do të takohen më 2 qershor për rundin e dytë të bisedimeve të drejtpërdrejta.
Forcat ruse sulmuan me raketa zona civile në një qark afër frontit në rajonin e Zaporizhjës, duke shkatërruar të paktën një shtëpi dhe duke dëmtuar disa ndërtesa të tjera. Në mesin e të vrarëve, ishte edhe një vajzë 9-vjeçare, tha kreu rajonal, Ivan Federov. Ai tha se po ashtu në këtë sulm u plagos edhe një djalë 16-vjeçar.
Tre persona u vranë nga sulmet ruse në Pokrovsk, në rajonin e Donjeckut, që ka qenë skenë e luftimeve të ashpra për muaj të tërë, ndërkaq dy të tjerë u vranë në një fshat aty pranë, tha Vadym Filashkin, zyrtar i lartë rajonal.
Shefi rajonal i Hersonit, Oleksandr Prokudin, tha se një burrë 60-vjeç u vra nga granatimet ruse në këtë qytet.
Hersoni është çliruar gjatë kundërofensivës ukrainase në fund të vitit 2022, disa muaj pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës. Por, Hersoni vazhdimisht sulmohet nga forcat ruse që gjenden në pozicione përtej lumit Dnjepër.
Ushtria ukrainase njoftoi se ka regjistruar gati 200 përleshje gjatë 24 orëve të fundit, me forcat ruse që sulmuan në disa pjesë të vijës së frontit në lindje të Ukrainës.
Më në veri, guvernatori i rajonit të Sumit urdhëroi evakuimin e 11 qyteteve dhe fshatrave të tjerë, teksa forcat ruse po shtojnë presionin në atë që autoritetet ukrainase e përshkruajnë si përpjekje për të krijuar një “zonë të sigurt” pranë kufirit.
Ndërkaq, Ministria ruse e Mbrojtjes tha më 31 maj se forcat ruse kanë kapur fshatin Vodolahi në rajonin e Sumit, pranë kufirit me Rusinë. Po ashtu, tha se trupat ruse kanë marrë kontrollin e fshatit Novopil në rajonin e Donjeckut.
Ndërkaq, zyrtarët në rajonin rus të Kurskut, që gjendet afër Sumit, thanë se dhjetë persona u plagosën nga sulmet ukrainase me dronë gjatë natës.
Asnjë nga raportimet mbi luftimet nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.
Rusia ka refuzuar thirrjet e Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe mbështetësve evropianë të Kievit për një armëpushim 30-ditor, me mundësi zgjatjeje, duke vazhduar sulmet dhe duke i bërë thirrje Ukrainës që të dërgojë negociatorë për bisedimet e propozuara që të mbahen në Stamboll më 2 qershor.
Rundi i parë i bisedimeve i mbajtur më 16 maj përfundoi me një marrëveshje për një shkëmbim të madh të të burgosurve, por pa ndonjë përparim drejt kapërcimit të dallimeve të mëdha mes dy vendeve sa i përket rrugës drejt paqes.
Rusia ka thënë se do të përdorë takimin e propozuar të 2 qershorit për të paraqitur një memorandum me kushtet e saj për një marrëveshje paqeje. Kievi ka deklaruar se është i gatshëm të marrë pjesë, por dëshiron ta shohë paraprakisht memorandumin rus./REL