Kampionati Europian U-17 “Shqipëri 2025” do të mbyllet nesër në mbrëmje me finalen e madhe mes Francës dhe Portugalisë, e cila do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare” në orën 20:30.
Në prag të finales kundër Portugalisë, për RTSH Sport ka folur trajneri Lionel Roksël, fillimisht, tekniku francez u ndal te organizimi në Shqipëri dhe ambientin në vendin tonë:
“Është hera ime e dytë në Shqipëri, eksperienca e parë ishte në vitin 2016 në kualifikueset e Kampionatit Europian. E kam parë disa herë Kombëtaren tuaj dhe po bëjnë një punë të mirë, ndërsa sa i përket vendit me pëlqen dhe populli shqiptar është shumë simpatik”.
Franca u përball me Portugalinë në ndeshjen e dytë të Grupit A, takim që përfundoi me rezultatin 0-0. Lionel Roksël, ka krijuar një ide si luan kundërshtari, dhe është përgatitur seriozisht për finalen e madhe.
“Jemi gati për finalen. E kemi përgatitur këtë ndeshje si të gjitha përballjet e tjera. Mendoj se lojtaret e mi janë të përgatitur për ta fituar ndeshjen.
Portugalia? Është një kundërshtar që sulmon shumë mirë, gjithashtu edhe në aspektin e mbrojtjes luajnë mirë, mendoj se do të jetë një finale e gjitha për t’u shijuar”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Francës U17 .