Detaje për vrasjen e Binak Kabashit nga Hasi në Podgoricë, familjarët thonë se djali është viktimë e pafajshme

- Gazeta e Prizrenit

Detaje për vrasjen e Binak Kabashit nga Hasi në Podgoricë, familjarët thonë se djali është viktimë e pafajshme

Ashtu siç raportoi pak më parë, Gazeta e Prizrenit, një rast i rëndë me të shtëna armësh ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Podgoricë të Malit të Zi, në të cilin u plagos për vdekje një i ri nga rajoni i Hasit të Prizrenit, që punonte atje.

Binak ( Ali ) Kabashi nga fshati Kabash i Hasit, familja e të cilit ka punuar me dekada në Shipol të Mitrovicës, sot ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri, ku ai punonte,

Referuar informacioneve te familjareve, viktima është qelluar aksidentalisht dhe se nuk ka qenë cak i sulmuesit, qe mendohet se ishte një person 23-vjeçar me inicialet E.B., që thuhet se është nga Hasi i Gjakovës, raporton Gazeta e Prizrenit.

Viktima po punonte si furrtar në Podgoricë bashkë me një shok nga fshati i afërt me atë të dorasit të dyshuar.

Tragjedia merr një dimension edhe më të dhimbshëm kur mësohet se Binaku dyshohet të ketë qenë një viktimë e rastësishme – një dëshmitar i pafajshëm në një takim të rrezikshëm, ku ai thuhet se nuk kishte dijeni për përplasjen e kolegut të tij me një të ri tjetër nga i njëjti rajon – një përplasje që përfundoi me të shtëna, dhimbje dhe një jetë të humbur.

Binaku nuk e dinte se ajo dalje për një “kafe” mund të ishte rruga e fundit.

Familjarët e Binakut janë të shokuar. Ata kërkojnë drejtësi për rastin.

Familjarë të afërt të viktimës i thanë Gazetës së Prizrenit se djali i tyre duket se ka qenë i pafajshëm, pasi dyshohet se dorasi që mendohet të jetë nga fshati Gërqinë, kishte konflikt me një koleg-shok të viktimës. “Ky ka qenë djal i urtë dhe nuk ka pas problem, por si duket shoku i tij nga një fshat i Hasit, me të cilin punonte në furrë e ka zgjuar nga gjumi  me arsyetimin për të dalë që të pinë kafe në qytet, diku në mbrëmje. Në fakt, duket se shoku e kishte lënë me dorasin një takim ne qytet,  për t’u marrë vesh pas një mosmarrëveshje, ndërsa viktima me gjasë nuk kishte pasur dijeni”, tha ai për Gazetën e Prizrenit.

Referuar versionit të familjarëve, i dyshuari kishte qëlluar me armë diku nga rruga apo ndonjë automjet, ndërsa shoku i viktimës nga Lipoveci kishte arritur të shpëtonte dhe është larguar pa adresë.

Kabashi ndërkaq u plagos rëndë dhe u dërgua në Qendrën Klinike të Malit të Zi, por fatkeqësisht nuk mundi t’u mbijetojë plagëve, duke ndërruar jetë në spital. Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar edhe babai i tij, Aliu, përmes një postimi në Facebook, një lajm që tronditi jo vetëm hasjanët, por edhe mërgimtarët tanë në diasporë.

Viktima është djali i dytë i familjes, që decenien e fundit kishte jetuar në Gjakovë. / Gazeta e Prizrenit



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit