Marquinhos me emocione për triumfin në Ligën e Kampionëve, përmend Mbappen dhe legjendat tjera të PSG-së

- Bota Sot

Marquinhos me emocione për triumfin në Ligën e Kampionëve, përmend Mbappen dhe legjendat tjera të PSG-së

Pas humbjes në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2020, Marquinhos më në fund e përjetoi gëzimin e madh me Paris Saint-Germain, duke ngritur trofeun e parë të trofeut më të vlefshëm evropian në historinë e klubit.

PSG mposhti Interin me rezultatin e thellë 5-0 në Allianz Arena, duke vendosur një rekord si skuadra e parë që fiton finalen me një diferencë prej pesë golash.

Ky triumf u kurorëzua me një sezon të jashtëzakonshëm për PSG-në, që fitoi gjithashtu Ligue 1 dhe Coupe de France, duke u bërë skuadra e parë franceze që arrin tripletën dhe e nënta në historinë e futbollit evropian.

Marquinhos, i cili ishte pjesë e ekipit që humbi finalen ndaj Bayern Munich pesë vite më parë, shpërtheu në emocion pas ndeshjes.

“Është dita më e mirë e jetës sime. Kam vuajtur, por jam rritur me këtë ekip. Mendoj për të gjithë ata lojtarë që kanë ardhur e janë larguar pa e arritur këtë ëndërr si Thiago Silva, Zlatan Ibrahimovic, Cavani, Di Maria… Ata e meritonin gjithashtu.”

“Familja ime ishte me mua dhe përjetoi këtë moment. Askush nuk besonte se mund të shkonim kaq larg kur filluam sezonin. Tani ky titull është me ne, dhe e sjellim në shtëpi”, tha Marquinhos.

Krejt në fund mbrojtësi brazilian foli edhe për Kylian Mbappen me francezin që u largua një vit më parë në drejtim të Real Madridit.

“Mbappe e meritonte. Është fati. Nuk e dimë se si do të shkojë jeta jonë. Kylian është një lojtar i shkëlqyer që meriton shumë. Ai ka kaluar shumë kohë me ne këtu”.

“Ai është një mik i shkëlqyer dhe një shok skuadre i shkëlqyer. Ai ka dhënë gjithçka për Parisin. Numrat që ka, ndeshjet që ka luajtur. Ai ka dhënë gjithçka, dhe për fat të keq, nuk e fitoi këtë trofe me ne”, përfundoi kapiteni brazilian i Parisit. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot