Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në ceremoninë “Edhe një herë deri herën tjetër”, të organizuar nga Fondacioni “Lumbardhi” në Prizren, me rastin e mbylljes së përkohshme të ndërtesës së kinemasë për shkak të renovimit, shkruan Gazeta Sinjali.
Në fjalimin e tij, Kurti kujtoi se Kino Lumbardhi ka qenë shtëpia e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar “DokuFest” në vitin 2002 dhe e quajti këtë institucion një monument të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore që do të vazhdojë të jetojë për dekada të tjera.
“Rrugëtimi i Kinemasë Lumbardhi, nga një simbol i reformës shoqërore në vitet ’50, deri në shënjues të kujtesës kolektive dhe triumf të aktivizmit qytetar, është dëshmi e gjallë e rëndësisë së saj për kulturën dhe shoqërinë”, tha Kurti.
Ai shtoi se Lumbardhi, si emër i kinemasë dhe si lum që përshkon qytetin, simbolizon rrjedhën e jetës dhe artit në Prizren, duke përmendur edhe festivalet që gjallërojnë qytetin, si “Zambaku i Prizrenit” dhe “DokuFest”.
“Kinemaja Lumbardhi dhe lumi që i dha emrin janë të pandashëm në historinë e jetës kulturore të qytetit tonë,” u shpreh ai në fund.