Foda: Është e rëndësishme t’i fitojmë miqësoret e qershorit

- Bota Sot

Foda: Është e rëndësishme t’i fitojmë miqësoret e qershorit

Përzgjedhësi i Kombëtares A të Kosovës, Franco Foda, në konferencën për media të mbajtur sot, ka folur për grumbullimin e radhës të Dardanëve për dy ndeshjet miqësore të këtij muaji kundër Armenisë (6 qershor) dhe Komoreve (9 qershor). Ai theksoi rëndësinë e këtyre sfidave si pjesë e përgatitjeve për ciklin kualifikues për Kupën e Botës 2026, i cili nis në muajin shtator.

“I kemi disa mungesa të rëndësishme, por për ne është shumë e rëndësishme t’i fitojmë këto dy ndeshje miqësore, sepse do të na shërbenin shumë për kualifikimet e Botërorit në shtator. Kam ftuar disa lojtarë të rinj, për të cilët besoj se do ta ndihmojnë shumë ekipin e Kosovës”, theksoi Foda.

Edhe pse ndeshjet janë miqësore, trajneri gjerman nënvizoi se qasja e ekipit do të jetë serioze dhe rezultati mbetet prioritet.

“Ndonëse këto janë ndeshje miqësore, ne duhet t’i fitojmë të dyja. Aktualisht ndodhemi në një eufori, pasi jemi ngritur në Ligën B të Ligës së Kombeve, por kjo duhet të na shërbejë si energji e akumuluar për suksese të mëtejshme. Do t’u qasemi ndeshjeve me seriozitet të lartë dhe synojmë fitoren”, shtoi ai.

Në lidhje me gjendjen e Edon Zhegrovës dhe kur pritet që ai të rikthehet në kombëtare, Foda shtoi:

“Me Zhegrovën kam pasur kontakte. Ai ka pasur një lëndim dhe i është nënshtruar një operacioni. Aktualisht ndodhet në fazën e rikuperimit dhe për sezonin e ri kualifikues do të jetë i gatshëm”.

Në këtë grumbullim do të mungojnë 10 futbollistë që ishin pjesë e grumbullimeve të mëparshme si: Aro Muriç, Amir Rrahmani, Fidan Aliti, Andi Hoti, Valon Berisha, Edon Zhegrova, Lirjon Abdullahu, Eliot Bujupi, Milot Rashica dhe Vedat Muriqi.

Në vend të tyre, përzgjedhësi ka vendosur t’i japë mundësi disa futbollistëve të rinj dhe të tjerë që rikthehen në ekipin kombëtar pas një kohe. Florian Haxha dhe Bledian Krasniqi janë dy emrat që ftohen për herë të parë në Kombëtaren A, ndërkohë që rikthehen Meriton Korenica, Ismet Lushaku, Kreshnik Hajrizi dhe Ismajl Beka.

“Florian Haxha? E kam ndjekur në ekipin e tij dhe paraqitjet e tij më kanë bindur me shpejtësinë dhe ritmin që ka. Ka shënuar disa gola dhe më ka lënë një përshtypje shumë të mirë. Ai është një lojtar i ri dhe ka mundësinë të tregojë aftësitë e tij gjatë seancave tona stërvitore”, u shpreh Foda.

Stërvitja e parë e Kombëtares për këto dy sfida do të zhvillohet sot në orën 17:00 në Kampin Nacional në Hajvali.



Lexoni të gjitha në Bota Sot