Kapiten Adem Ukëhaxhaj – “GURI” - Strategu dhe heroi që nuk vdes kurrë

- Bota Sot

Kapiten Adem Ukëhaxhaj – “GURI” -  Strategu dhe heroi që nuk vdes kurrë

Në historinë e lavdishme të luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës, disa emra janë të gdhendur me shkronja të arta, sepse jo vetëm që luftuan, por edhe drejtuan, organizuan dhe frymëzuan. Një prej tyre është kapiten Adem Ukëhaxhaj, i njohur me emrin e luftës “GURI” – burrë trimërie, urtësie dhe vendosmërie të rrallë. Ademi ishte ndër të parët që iu përgjigj zërit të atdheut dhe u rreshtua pa hezitim në krah të kolonel Ahmet Krasniqit, duke u bërë pjesë kyçe në organizimin e strukturave të para të rezistencës së armatosur.

Me vizion strategjik dhe përkushtim të palëkundur, ai formoi ndër shtabet e para lokale të UÇK-së në Dukagjin – duke qenë gjithmonë hap për hap me zhvillimet e luftës. Në majin vendimtar të vitit 1998, pata fatin dhe nderin ta kisha pranë në disa vija të frontit. Më 25 dhe 26 maj, morëm pjesë së bashku në një nga takimet më të rëndësishme të luftës – mbledhjen e Shtabit Rajonal të Dukagjinit në Gllogjan.

Atje ku u hodhën themelet e qëndresës së bashkërenduar në këtë rajon. Më 30 maj 1998, ai më besoi një mision të rëndësishëm: më dha nën komandë rreth 30 luftëtarë nga disa fshatra të Dukagjinit, të cilët i nisa drejt Tropojës për furnizim me armë. Grupi më pas u vendos në Viçudol, në një zonë strategjike për operacionet që pasuan. Nga kapiteni Adem mora një dhuratë të çmuar – një beretë ushtarake me stemën e UÇK-së – simbol i nderit dhe besimit të tij.

Më vonë, me respekt të thellë, këtë kujtim ia dorëzova bashkëshortes së tij, znj. Xhyla Ukëhaxhaj, në Gjermani, në banesën e nipit të tij – veprimtarit dhe komandantit të logjistikës së luftës, Brahim Ukëhaxhaj, poashtu mbajë kujtim letren që ma dha më porosi për kom. Sali Çekaj për të derguar llojë armësh dhe teknika komunikimi.

Por vetëm dy ditë më pas, më 2 qershor 1998, në një ofensivë të egër të forcave serbe, Adem Ukëhaxhaj – GURI ra heroikisht në betejë. Ai nuk u tërhoq, nuk u dorëzua – qëndroi siç jetoi: me nder, me armë në dorë dhe me atdheun në zemër. Sot, emri i tij është më shumë se kujtim – është frymëzim.

Ai është simbol i një brezi që nuk pranoi robërinë, që nuk pati frikë nga sakrifica, dhe që jetoi vetëm për fitoren e lirisë. Kapiten Adem Ukëhaxhaj nuk vdiq – ai u përjetësua.

Lavdi jetës dhe veprës së tij! Nder dhe përulje për të gjithë dëshmorët që bënë të mundur dritën që sot e gëzojmë. Osman (Oso) Ferizi, veprimtar, ish pjestar i Grupit të armatosur në krye më Sali Çekaj, 02.06.2025.

 

 



Lexoni të gjitha në Bota Sot