Humbje e madhe për gjimnazin “Remzi Ademaj” – viktima e aksidentit me motoçikletë maturanti Geltian Shala
Me dhimbje të thellë dhe trishtim të madh është pritur lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të Geltian Shalës, maturant i klasës XII/1 dhe kryetar i Klubit Letrar në gjimnazin “Remzi Ademaj” në Prizren.
Lajmi tragjik ka lënë në zi jo vetëm familjen dhe të afërmit, por edhe gjithë komunitetin shkollor, shokët dhe mësimdhënësit që e njohën dhe e çmuan për personalitetin e tij të veçantë.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së shtunës, më 31 maj 2025, rreth orës 18:15, në fshatin Grazhdanik të Prizrenit. Sipas informacioneve zyrtare, Geltiani, po drejtonte një motoçikletë elektrike, kur në përpjekje për t’u futur në rrugën kryesore, ndodhi përplasja fatale me një veturë tip VW Golf, që po vinte nga drejtimi i kundërt. Si pasojë e aksidentit, ai pësoi lëndime të rënda trupore, të cilave nuk u mbijetoi, ndërsa dy persona të tjerë mbetën të lënduar.
Në njoftimin zyrtar të shkollës thuhet se, në shenjë respekti për kujtimin e tij, janë pezulluar të gjitha aktivitetet kulturore dhe artistike të planifikuara për ditët në vijim.
“Geltiani do të kujtohet si një nxënës i jashtëzakonshëm, me pasion të madh për letërsinë dhe artin, i dalluar për kreativitetin dhe përkushtimin e tij. Ai ishte i dashur dhe i respektuar nga bashkëmoshatarët, ndërsa stafi pedagogjik e vlerësonte për maturinë, mirësjelljen dhe talentin e tij të veçantë.
🕯️Pushofsh në paqe, Gelti. Kujtimi yt do të jetojë gjatë në mendjet dhe zemrat tona”.
P.S Ballina-Pamje nga arkivi