Simone Inzaghi nuk është më trajneri i Interit! Pritet vetëm zyrtarizimi, por ky është vendimi që ka marrë trajneri italian pas mbledhjes së sotme me drejtuesit e klubit, e para që pas disfatës së thellë në Ligën e Kampioneve
Tekniku italian ka vendosur t’i japë lamtumirën zikaltërve, për të vazhduar karrierën e tij larg Italisë, më saktësisht në Arabinë Saudite, nga ku ka marrë një ofertë marramendëse nga klubi i Al Hilal.
Oferta në fakt i kishte mbërritur që para një muaji, por Inzagi kishte shtyrë gjithçka sa i përket vendimmarrjes duke pritur finalen e Ligës së Kampioneve. Sot, ai është takuar me drejtuesit e klubit zikaltër në ambientet e klubit dhe sipas mediave italiane, palët nuk kanë zgjatur shumë në diskutime që të arrijnë në shtrëngimin e duarve për të mbyllur marrëveshjen ekzistuese me mirëkuptim, duke i hapur rrugë largimit të trajnerit.
Disfata e thellë me shifrat 5-0 në finalen e Ligës së Kampioneve dhe nevoja për të nisur dukshëm një cikël me emra të rinj, ka bërë që edhe drejtuesit e Interit të mos i bënin pengesë trajnerit në zgjedhjen e tij.
Tekniku do të udhëtojë që këtë fundjavë drejt Majemit, ku është grumbullimi i skuadrës së Al Hilal, e cila do të marrë pjesë në Botërorin e Klubeve në SHBA.