Mbrojtja e komandantit të Ushtrisë së Republikës Sërpska gjatë kohës së luftës, Ratko Mlladiq, i ka kërkuar presidentit të gjykatës ndërkombëtare në Hagë ta lirojë urgjentisht atë me lirim të përkohshëm dhe me kusht për arsye humanitare, duke cituar vlerësimet e mjekëve se ai do të vdesë së shpejti.
Avokati mbrojtës Dragan Ivetiq e bazoi kërkesën, të cilën gjykata e njoftoi sot, në faktin se shërbimi mjekësor në paraburgim të gjykatës së OKB-së “i tha Mlladiqit dhe familjes së tij se ai nuk mund të shërohet” dhe se “jetëgjatësia e tij tani llogaritet me muaj”, raporton N1.
Mlladiq (83-vjeç) u dënua nga gjykata e Hagës me burgim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë dhe krime kundër njerëzimit kundër myslimanëve dhe kroatëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, përfshirë terrorizimin e civilëve në Sarajevë, nga viti 1992 deri në vitin 1995.
Krimineli Mlladiq ka qenë në paraburgim në Hagë që nga fundi i majit 2011, kur u arrestua në Serbi dhe u ekstradua në gjykatë.
Mjekët, siç pretendon mbrojtja në mocion, e kaluan Mlladiqin nga trajtimi në “kujdes paliativ” dhe e informuan pacientin dhe familjen e tij për këtë.
Avokati deklaroi se “jetëgjatësia e kufizuar e Mlladiqit është një konsideratë qendrore humanitare që duhet t’i jepet peshë vendimtare” në vendimin e kryetares së gjykatës, Graciela Gatti.
Detajet e problemeve shëndetësore të Mlladiqit u redaktuan në mocion.
Autoritetet serbe arrestuan Mlladiqin më 26 maj 2011 në Lazarevë pranë Zrenjaninit, dhe pesë ditë më vonë ai u transferua në Hagë.
Gjyqi i Mlladiqit para Tribunalit zgjati nga 16 maji 2012 deri më 15 dhjetor 2016. Tribunali dha vendimin e shkallës së parë më 22 nëntor 2017, dhe vendimin përfundimtar më 8 qershor 2021.
Në këto vendime, Mlladiqi u shpall fajtor për gjenocid në Srebrenicë, përndjekje të myslimanëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës me bombardime dhe snajperë, dhe marrjen peng të anëtarëve të UNPROFOR-it nga viti 1992 deri në vitin 1995.
Mlladiqi u dënua për 10 akuza për gjenocid në Srebrenicë dhe krime kundër njerëzimit në 15 komuna boshnjake, duke përfshirë përndjekje, shfarosje, vrasje, dëbim dhe transferim të dhunshëm.
Gjykata e shpalli Mlladiqin fajtor edhe për katër akuza për shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës: vrasje, terror, sulme të paligjshme ndaj civilëve dhe marrje pengjesh.
Mlladiqi u akuzua për herë të parë nga Tribunali më 25 korrik 1995 dhe ishte në arrati deri në arrestimin e tij në vitin 2011, gjatë së cilës kohë, siç përcaktuan më vonë mjekët në Hagë, ai u kishte mbijetuar tre sulmeve në tru.