Nënkryetarja e Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë, partia më e madhe opozitare në Serbi, Marinika Tepiq, ka deklaruar se në ditët në vijim do të publikojë informacione që e lidhin presidentin serb, Aleksandar Vuçiq me kartelet e drogës.
Në një konferencë për shtyp në Kuvendin e Serbisë, Tepiq tha se Vuçiq kishte kontakte me organizatat për kontrabandë dhe shitje të drogës falët Filip Koraqit, i cili në vitin 2023 u ekstradua në Francë nga Hungaria.
Bëhet fjalë, sipas saj, për “mijëra dokumente, incizime zanore dhe fotografi” që Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi “i mban në sirtar”.
Ndër të tjera, bëhet fjalë për komunikime përmes aplikacionit “Sky” që datojnë nga viti 2021, ku Koraqi kishte emrin e koduar “Robin”.
Në këto komunikime, pretendon Tepiq, përmenden Aleksandar Vuçiq, vëllai i tij, Andrej Vuçiq, si dhe ish-sekretarja shtetërore e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Dijana Hrkaloviq.
“A sugjerojnë të dhënat se Koraqi u ndihmua nga policia në Serbi?”, pyeti Tepiq, duke fajësuar për këtë situatë prokurorët e Prokurorisë për Krim të Organizuar.