Simone Inzaghi ka mbyllur pas katër vitesh aventurën e tij me Interin. Një aventurë që nuk pat fund të lumtur, pasi u mbyll me asnjë trofe në edicionin ku të gjithë mendonin se zikaltrit mund të fitonin gjithçka. Por trajneri ka arsye pse të mos largohet i mërzitur nga zikaltrit.
Oferta që i ka vënë përpara klubi i Al Hilal bëri që ai të hidhte në kosh ofertën e rinovimit të zikaltërve dhe të mbyllte para kohe me mirëkuptim kontratën që kishte me ta, e cila skadonte në verën e vitit 2026. Kjo, pasi Al Hilal i ka ofruar atij një rrogë prej 25 milionë eurosh neto në vit, duke e bërë trajnerin më të paguar në botë.
Një kontratë dyvjeçare e garantuar, me të drejtën e zgjatjes së bashkëpunimit për një tjetër vit dhe një çek i bardhë praktikisht për të blerë çdo lojtar që dëshiron për të luftuar për trofe në Arabinë Saudite dhe Azi. Ndaj edhe Inzagi nuk e ka pasur shumë të vështirë të mbyllë marrëveshjen me Interin dhe të nisë këtë aventurë të re.
LISTA E TRAJNERËVE MË TË PAGUAR NË BOTË
1 – Simone Inzagi, Al Hilal, 25 milionë euro
2 – Pep Guardiola, Mançester Siti, 23 milionë euro
3 – Diego Simeone, Atletiko Madrid, 15 milionë euro
4 – Mikel Arteta, Arsenal, 12,5 milionë euro
5 – David Mojes, Everton, 12 milionë euro
6 – Stefano Pioli, Al Nasr, 12 milionë euro
7 – Luis Enrike, PSG, 11,5 milionë euro
8 – Matias Zhaisle, Al Ahli, 11,5 milionë euro
9 – Zhoze Murinjo, Fenerbahçe, 10,5 milionë euro
10 – Karlo Ançeloti, Brazil, 10 milionë euro