Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mohuar pretendimet e Marinika Tepiq se ai është i lidhur me kartelet e drogës.
“Dua t’ju njoftoj se në vitin 2017 u arrestua një grup prej 10 personash për shkak të një sulmi ndaj djalit tim. Sulmuesit ishin të armatosur. Ndoshta atëherë kam bashkëpunuar me ta, sepse dua t’i bëj keq fëmijës tim”, tha ai.
Më pas, në një videoprojektor u transmetua një pjesë nga konferenca për shtyp e nënkryetares së Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë, Tepiq e cila tregonte fotografi të pakove me drogë, për të cilat pretendonte se në to ndodhej fytyra e udhëheqësit serb, shkruan danas.rs.
Ai më pas tregoi një fotografi të presidentit kolumbian, për të cilën tha se Tepiq kishte pretenduar se ishte Vuçiq.
“Nuk kam parë kurrë drogë në jetën time, i dëshiroj më të keqen shpërndarësve të drogës. Asnjëherë nuk e kam pasur aplikacionin Sky, as unë dhe as kush nga familja ime. Nëse kjo nuk është e vërtetë, le ta thotë Prokuroria për Krimin e Organizuar dhe unë nuk do të jem më president”, deklaroi Vuçiq.
Ai lexoi një komunikim të supozuar në Sky ndërmjet Radoje Zvicerit dhe avokatit Dejan Lazareviq.
“Kërkoj nga prokuroria të tregojë nëse ka ndërmarrë veprime ndaj këtyre personave dhe ndaj mediave që kanë marrë pjesë në këtë çështje. Kam informacion që kjo çështje ndodhet në prokurori prej vitesh”, tha ai.
Ndryshe, Tepiq, ka deklaruar se në ditët në vijim do të publikojë informacione që e lidhin presidentin serb, Aleksandar Vuçiq me kartelet e drogës.
Në një konferencë për shtyp në Kuvendin e Serbisë, Tepiq tha se Vuçiq kishte kontakte me organizatat për kontrabandë dhe shitje të drogës falët Filip Koraqit, i cili në vitin 2023 u ekstradua në Francë nga Hungaria.