Ministria spanjolle e Mbrojtjes ka urdhëruar pezullimin e një kontrate me një kompani izraelite, me të cilën ajo kishte rënë dakord më parë për të prodhuar sistemin raketor antitank, tip ”Spike LR2” për përdorim në Komandën e Forcave Tokësore.
Sipas lajmit të shtypit spanjoll, bazuar në burime të Ministrisë së Mbrojtjes, ky institucion ka vendosur të pezullojë kontratën e shpallur më 3 tetor 2023, me vlerë afërsisht 285 milionë euro, me ”Pap-Tecnos”, dega spanjolle e kompanisë izraelite ”Rafael Advanced Defense Systems”.
Amparo Valcarce, sekretari i Shtetit për Mbrojtjen i qeverisë spanjolle, tha javën e kaluar se qeveria po “punonte mbi planet e tërheqjes për të shmangur çdo formë varësie” nga Izraeli, shkruan AA.
Nga ana tjetër, shtypi spanjoll shkroi se sistemet raketore në fjalë, të cilat janë përdorur deri më tani në Forcat Tokësore, janë të vjetruara dhe duhet të zëvendësohen me sisteme më moderne, si ato që përdoren në ushtritë e vendeve aleate, dhe se hulumtimi i Ministrisë së Mbrojtjes përcaktoi se vetëm kompania izraelite ka kompetencën teknike.
Mësohet se afërsisht 285 milionë euro u ndanë për 5 vjet për të pajisur njësitë e këmbësorisë tokësore dhe detare me raketa Spike LR2.
Ndërkohë, në ditët në vijim pritet të votohet në parlamentin spanjoll një projektligj për të vendosur embargo armësh ndaj Izraelit.