Fabregas drejt Interit, Del Bosque: Është gati për hapin e madh

- Bota Sot

Fabregas drejt Interit, Del Bosque: Është gati për hapin e madh

Vicente del Bosque e njeh shumë mirë Cesc Fabregas. Ish-mesfushori spanjoll pritet të jetë trajneri i ardhshëm i Interit, duke zëvendësuar Simone Inzaghin.

Pikërisht për trajnerin aktual të Comos, që së shpejti pritet të ndryshojë pankinë, ka folur në një intervistë për numrin e sotëm të “Gazzetta dello Sport”.

“Gjithmonë mendonte për skuadrën si një tërësi, – ka komentuar Del Bosque. – Luante në një pozicion ku kishte shumë liri dhe më dukej se këtë liri e shihte si përgjegjësi.

Mendonte se duhej ta vinte në dispozicion të shokëve të skuadrës, për t’i përmirësuar dhe për t’ua lehtësuar detyrën apo lojën. Ishte shumë i disiplinuar, i pëlqente t’i bënte të tjerët që të lëviznin rreth tij”.

Lidhur me faktin nëse Fabregas është i gatshëm për aventurën e tij te zikaltrit, Del Bosque nuk ka asnjë dyshim:

“Sigurisht, pa asnjë dyshim. Cesc nuk është trembur kurrë në jetë, shumë herët është përballur me sfida të mëdha.

Tek Arsenali kishte përpara Patrick Vieira, kampion bote.

Edhe në kombëtare rivalizoi me një brez fenomenesh.

Nuk i është dridhur qerpiku asnjëherë. U largua për në Londër shumë i ri, duke fituar përvojë të madhe. Edhe pse mund të duket si diçka relative, fakti që di të flasë dhe të komunikojë në shumë gjuhë e ndihmon shumë.

Cesc di të lëvizë mirë në kultura shumë të ndryshme nga njëra-tjetra”.

 



Lexoni të gjitha në Bota Sot