Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, ka njoftuar për një donacion të rëndësishëm të dhuruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në Facebook, Dibrani ka shprehur falënderimin për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj institucioneve të sigurisë në Kosovë.
“Faleminderit për përkrahjen e vazhdueshme dhe donacionin e radhës për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Mbështetja juaj është thelbësore në forcimin e sigurisë dhe ngritjen profesionale të institucioneve tona”, ka deklaruar Dibrani.
Donacioni, i cili pritet të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale brenda SHKK-së, vjen si pjesë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti Shteteve të Bashkuara.
Drejtoria e SHKK-së nuk ka dhënë ende detaje të hollësishme mbi natyrën e donacionit, por është theksuar se ai do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e efikasitetit të shërbimit korrektues.