Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda ka folur sot para gazetarëve në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes miqësore ndaj Armenisë. Kjo përballje zhvillohet të premten, më 6 qershor, nga ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Pas kësaj ndeshjeje, Dardanët do të përballen në një tjetër miqësore të hënën, më 9 qershor, ndaj Kombëtares së Komoreve, po ashtu në kryeqytet dhe me fillim nga ora 19:00.
Përzgjedhësi Franco Foda foli për gjendjen e ekipit, integrimin e lojtarëve të rinj dhe qasjen serioze që do të ketë në këto dy miqësore, duke pasur në fokus përgatitjen për eliminatoret e Botërorit 2026 që nisin në shtator.
“Lojtarët e rinj janë integruar shumë shpejtë në lojën e skuadrës.
Ne kemi vëzhguar lojtarët e rinj para se t’i ftojmë ata. Kanë treguar performancë të mirë. E kanë vërtetuar në seancat e kaluara stërvitore.
A do të angazhohen në ndeshjen e radhës mbetet të shihet nesër para lojës”, tha ai.
Foda theksoi se qëllimi kryesor është që dy ndeshjet t’i fitojnë.
“Nuk dëshirojmë të eksperimentojmë. Jemi duke u përgatitur mirë për fazën kualifikuese të Botërorit ndaj Zvicrës dhe Suedisë.
Është me rëndësi që në fushë të dalim me lojtarët më të mirë të cilët i kemi përgatitur dhe do t’i ndjekim parimet tona. Lëndimet janë pjesë e futbollit, pjesë e përditshmërisë.
Jam trajner që punoj me lojtarët që janë të gatshëm dhe me shëndet të mirë.
Kur dihet që 3-4 lojtarë të rëndësishëm po mungojnë, do të mundohem të punoj me të tjerët. I kemi 25 lojtarë dhe do ta kenë mundësinë ta tregojnë veten para ndeshjeve të shtatorit”, shtoi Foda.
Sa i përket mungesave të rëndësishme në ekip, Foda nuk ka dashur të flasë shumë, duke u përqendruar tek fondi i futbollistëve që ka në dispozicion. “Tani jemi duke u përgatitur për ndeshjen e radhës që do t’i zhvillojmë.
Jam i koncentruar në lojtarët që i kam në dispozicion.
Do t’i aplikojmë gjitha metodat e punës dhe parimet tona të punës, do të jemi aktiv, do t’i bëjmë presion kundërshtarit me lojë agresive, do të mundohemi të luajmë lojë sa më të mirë ofensive.
Dëshirojmë që paraqitja jonë të jetë sa më kompakte dhe stabile”, nënvizoi Foda.