Vendet anëtare të NATO-s ranë dakord të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në një total prej pesë për qind të PBB-së deri në vitin 2032, tha sot ministri kroat i Mbrojtjes Ivan Anushiq.
Ai shtoi se prioritetet e Kroacisë për forcimin e mbrojtjes do të përfshijnë sigurinë kibernetike, sistemet e radarëve dhe sistemet e mbrojtjes ajrore me rreze të mesme, raporton kp.
“Të gjithë e konfirmuam, praktikisht unanimisht, dhe ramë dakord që deri në vitin 2032 duhet të arrijmë 3,5 për qind plus një për qind e gjysmë që do ti drejtohet mbrojtjes dhe sigurisë,” tha Anushiq pas takimit të fundit ministror para samitit të NATO-s që mbahet në Hagë më 24-25 qershor.
3.5 për qind do të shkonte për shpenzime thjesht ushtarake dhe 1.5 për qind e mbetur për kostot që lidhen me sigurinë në një kuptim më të gjerë, si mbrojtja e kufijve, siguria kibernetike, infrastruktura për të rritur lëvizshmërinë ushtarake.
Anushiq shtoi se Shtetet e Bashkuara, si aleati më i rëndësishëm, në këtë takim thanë se po e përqendrojnë vëmendjen e tyre në Indo-Paqësorin dhe se për këtë arsye Evropa duhet të forcojë aftësitë e saj mbrojtëse dhe të financojë mbrojtjen e saj.
"Kjo, natyrisht, nuk do të thotë braktisje e Evropës, por thjesht një rifokusim në Indo-Paqësorin. Prandaj, ne thjesht duhet të jemi gati për atë që do të na sjellë e nesërmja", tha ai.