Hegseth: NATO është afër marrëveshjes për 5% të PBB-së

- Bota Sot

Hegseth: NATO është afër marrëveshjes për 5% të PBB-së

Anëtarët e NATO-s janë afër një konsensusi për rritjen e buxheteve të mbrojtjes në pesë për qind të prodhimit të brendshëm bruto, tha sot sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Pete Hegseth.

Nga pesë për qind, 3.5 për qind do të lidheshin me shpenzimet thjesht ushtarake dhe 1.5 për qind e mbetur me kostot që lidhen me sigurinë në kuptimin më të gjerë, si mbrojtja e kufirit, siguria kibernetike dhe infrastruktura për të rritur lëvizshmërinë ushtarake.

"Unë mendoj se jemi shumë afër një konsensusi për pesë për qind të PBB-së në samitin e ardhshëm të NATO-s në Hagë," tha Hegseth në Bruksel, ku po merr pjesë në një takim të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare.

Aktualisht, vetëm Polonia është afër pesë për qind e shpenzimeve të mbrojtjes, ndërsa disa vende si Spanja dhe Italia nuk kanë arritur as objektivin prej dy për qind të PBB-së, i cili ishte vendosur në vitin 2014.

Spanja, e cila njoftoi se do të rriste shpenzimet e mbrojtjes këtë vit nga 1.3 për qind e vitit të kaluar në dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto, beson se kjo është mjaft e mjaftueshme, por njofton se nuk do të bllokojë vendosjen e një objektivi të ri, dukshëm më të lartë.

Në NATO, të gjitha vendimet merren me konsensus, që do të thotë se edhe një anëtar mund të bllokojë një vendim.

Ministrja spanjolle Margarita Robles, tha se qeveria e saj nuk do të bllokojë vendimin për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në samitin e NATO-s në Hagë më 24 dhe 25 qershor.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha se vendit të tij do ti nevojiten midis 50 mijë dhe 60 mijë ushtarë të rinj për të përmbushur objektivat e aftësive të reja ushtarake dhe shpenzimet e mbrojtjes, të cilat do të arrinin në tre për qind të prodhimit të brendshëm bruto, do të arrinin në 125 miliardë euro shtesë në vit.

Në mënyrë që NATO të përmbushë objektivat e saj të aftësisë ushtarake, shtetet anëtare do të duhet të vendosin qëllimet e tyre kombëtare. Sipas burimeve diplomatike, kapacitetet ekzistuese ushtarake duhet të rriten me rreth 30 për qind.



Lexoni të gjitha në Bota Sot