Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi sot se vendet anëtare të Aleancës kanë rënë dakord për qëllime të reja ambicioze për të forcuar aftësitë e mbrojtjes, duke përfshirë mbrojtjen ajrore, avionët, tanket, dronët, logjistikën.
Ai pas takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, tha se në samitin e Aleancës në fund të këtij muaji, do të propozojë një plan investimi që do të arrijë në gjithsej 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për investime në kapacitetet mbrojtëse, nga të cilat 3.5 për qind do të shkojnë për investimet bazë ushtarake dhe 1.5 për qind për fusha të tjera që lidhen me mbrojtjen, raporton KosovaPress.
"Këto qëllime përshkruajnë saktësisht se në cilat aftësi duhet të investojnë aleatët vitet e ardhshme. Mbrojtja ajrore, avionët luftarakë, tanket, dronët, personeli, logjistika dhe shumë më tepër. E gjithë kjo nevojitet për ta bërë parandalimin dhe mbrojtjen tonë të fortë për të garantuar sigurinë e njerëzve tanë", tha Rutte në një konferencë për shtyp.
Ai tha gjithashtu se NATO do të mbetet një “Aleancë bërthamore për sa kohë që ka armë bërthamore.”