Shtetasi amerikan, Joseph Tater është larguar nga Rusia, pasi është mbajtur në Moskë prej gushtit të vitit të kaluar, nën akuzat për abuzim të stafit të hotelit – çka ai e ka mohuar – dhe më pas është zhvendosur në një klinikë psikiatrike, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve TASS.
Tater është ndaluar në Moskë më 12 gusht 2024, nën akuzën e “huliganizmit” dhe është mbajtur në burg për 15 ditë. Ndalimi i është vazhduar pasi Komiteti rus i Hetimeve, ka nisur të hetojë një akuzë më serioze, atë të përdorimit të dhunës kundër një zyrtari policor.
Më 6 prill, një gjykatë e ka urdhëruar Taterin të zhvendoset nga një qendër ndalimi për trajtim të detyrueshëm psikiatrik. Sipas medias shtetërore, gjykata ka thënë se ai nuk është penalisht përgjegjës për veprimet e tij, pasi është diagnostikuar me çrregullime mendore.
Sipas TASS-it, Tater është lëshuar prej klinikës psikiatrike më 6 qershor.
Disa burime kanë thënë për agjencinë ruse se klinika nuk ka pasur arsye që të mbajë Taterin dhe e ka liruar për trajtim jospitalor.
TASS ka thënë se Tater nuk është më në Rusi, por që nuk dihet vendndodhja e tij
Ambasada amerikane në Moskë dhe as Departamenti amerikan i Shtetit nuk kanë komentuar për këtë rast.
Më herët, agjencia e lajmeve Reuters e ka cituar një burim të Kremlinit të ketë thënë se Tater ka qenë njëri prej nëntë amerikanë që po mbahen në Rusi, që Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar t’i përfshijnë në këmbim të të burgosurve.
Ky informacion ka ardhur pasi këshilltari i Kremlinit për politikë të Jashtme, Yuri Ushakov ka thënë se këmbimi është diskutuar mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në bisedën e tyre telefonike të zhvilluar më 20 maj.
Uashingtoni dhe Moska veçse i kanë kryer dy këmbime të të burgosurve, prej kur Trump e ka nisur mandatin në janar.
Në prill, shtetasja ruso-amerikane, Ksenia Karelina, e cila ishte burgosur në Rusi për dhënie donacioni prej 51 dollarësh për një qendër bamirësie ukrainase, por me bazë në SHBA, është liruar në këmbim të Arthur Petrovit, shtetas gjermano-rus, që dyshohet të ketë eksportuar mikroelektronikë sensitive.
Në shkurt, Shtetet e Bashkuara e kanë liruar kriminelin kibernetik rus, Aleksandr Vinnik në këmbim të mësuesit amerikan, Marc Fogel./REL