Është folur shumë ditët e fundit për të ardhmen e Granit Xhakës, i lakuar në merkaton europiane.
Edhe Milani, në fakt, ishte lidhur me mesfushorin shqiptaro-zviceran, përveç FC Basel, natyrisht. I rritur te kuqeblutë,
Granit Xhaka ishte rikthyer në stadium për të ndjekur fitoren e kampionatit zviceran nga ish-skuadra e tij. Një ngjarje që, e shoqëruar me disa deklarata “flirtuese” të lojtarit, dukej sikur mund të ishte paralajmërimi i rikthimit në shtëpi.
Zëra që megjithatë janë mohuar nga vetë Xhaka nga Meksika, ku ndodhet me kombëtaren: “Zërat nuk mungojnë, disa i kam nxitur vetë duke folur për një rikthim të mundshëm te FC Basel, duke ndezur me siguri atmosferën në stadium.
Sidoqoftë, në Leverkusen kam edhe tri vite kontratë. Unë dhe familja jemi të lumtur atje.
Futbolli është i paparashikueshëm, kjo është e vërtetë, edhe pse tani them se do të qëndroj. E ardhmja mbetet ende për t’u shkruar”.
Dera duket se mbyllet për ndonjë largim të menjëhershëm. Në këtë pikë, ish-lojtari i Arsenalit, i cili ka kontratë deri në vitin 2028, duket se do të jetë një nga elementët që do të shërbejë si urë lidhëse mes projektit të sapopërfunduar me Xabi Alonson dhe atij që do të nisë me Erik ten Hag.