Pas disa ditësh të mbushura me ngjarje të forta, Beppe Marotta rikthehet të flasë, madje përpiqet të qartësojë pesë ditët e fundit që kanë tronditur botën zikaltër. Presidenti i Interit foli në kuadër të ‘Festivalit të Serie A’, që po mbahet në Parma. Kreu i klubit e komentoi kështu skepticizmin e tifozëve dhe medias, pas vendimeve të marra (mbas finales në Mynih):
“Përgjigjja është e thjeshtë dhe normale. Në futboll, nëse fiton, je i mirë, nëse humbet, shumë më pak. Na ka mbetur një shije e hidhur nga dështimi i një jave më parë, por kjo është pjesë e futbollit. Të dalësh i dyti nuk është dështim, por arsye për krenari. Të arrish në finalen e Ligës së Kampionëve, që është kompeticioni më i rëndësishëm për klubet, është diçka e jashtëzakonshme.
Dhe ta kesh bërë këtë dy herë në tri vite është edhe më e jashtëzakonshme. Duhet parë edhe kjo. Është e vërtetë që ka zhgënjim dhe hidhërim të thellë, por them me vendosmëri që sezoni ynë, i cili ende nuk ka përfunduar, sepse do të marrim pjesë në Botërorin e Klubeve, ku do të përfaqësojmë Italinë bashkë me Juventusin, është arsye për krenari”.
Më pas Marotta hyri në detaje mbi zgjedhjen e Simone Inzaghit për t’u larguar dhe vështirësitë për të gjetur një zëvendësues: “Futbolli është një botë ku gjithçka digjet me shpejtësi ekstreme, por të martën pamë një deklaratë nga trajneri ynë (Inzaghi), i cili ishte aktori kryesor, dhe që na tha: Besoj se cikli im me Interin ka përfunduar, ndaj preferoj të kem një përvojë të re.
Shumë thonë se mund ta kishim imagjinuar, por nuk është kështu, sepse afrimi me finalen bëri që të mos e preknim këtë temë gjatë javës paraprake. Po e them hapur: Inzaghi e mori këtë vendim vetëm të hënën, pas humbjes me PSG”.
Mbi profilin e trajnerit të ri: “Gazetat kanë folur për skepticizëm dhe konfuzion, por ne thjesht pranuam këtë vendim që na gjeti pjesërisht të papërgatitur, sepse nuk kishim siguri për largimin e Simone, ndaj vepruam. Mediat përmendën shumë emra, por ishin profile krejtësisht të ndryshme. Gjëja e parë që duhet të përcaktohet kur ndërron trajnerin është profili, i cili është rezultat i një strategjie dhe linjave drejtuese. Pasi drejtuesit përcaktuan strategjinë, u fokusuam te profili i duhur.
Na duhej një trajner i ri, që të përqafonte plotësisht udhëzimet e klubit dhe përqendrohej te zhvillimi i të rinjve. Chivu nuk është një zgjidhje e improvizuar. Pas pamundësisë për ta marrë Fabregas, zgjodhëm mundësinë e dytë që kishim në mendje. Falë gatishmërisë së Parmës e përshpejtuam procesin, u takuam me të dhe bëmë planet. Shpresoj që brenda një apo dy ditësh të arrijmë te zyrtarizimi.
Interi është një klub i madh dhe ka detyrimin të marrë pjesë në gara për të fituar. Për këtë nevojiten shumë cilësi. Cilësi që ne besojmë se i gjetëm te Chivu. Nuk mund ta zyrtarizoj ende, sepse ka një çështje burokratike që duhet zgjidhur me Parmën për regjistrimin e tij, por do ta mbyllim me të.
Ai është profili i duhur për objektivat që përmenda. Nuk është një formë konfuzioni, por guximi, çka është thelbësore për një lider. Me rëndësi është që klubi të jetë i fortë, të ketë një pronësi të fortë dhe një program të qartë”.