Në eventin bamirës “Cur in campo” në Foggia, shumë legjenda të Serie A zbarkuan në fushë për të mbështetur një kauzë të mirë. Mes tyre, si gjithmonë në qendër të vëmendjes ishte Francesco Totti, i cili, me pasime “no-look” dhe veprime teknike, dhuroi spektakël për publikun.
Në konferencën për shtyp përpara ndeshjes, Totti analizoi ndryshimet që ka pësuar ky sport: “Futbolli ka ndryshuar shumë. Sot është më fizik dhe më pak teknik se 20 vite më parë”.
Ai theksoi rëndësinë e investimeve në sektorët e të rinjve: “Duhet të fokusohemi te të rinjtë. E kam thënë gjithmonë dhe e përsëris; futbolli është gjithmonë i bukur, edhe nëse e shikon nga jashtë apo edhe kur ke më pak talent”.
Për Zdenek Zeman, ish-trajnerin e tij te Roma dhe një figurë emblematike në Foggia, Totti u shpreh me respekt të madh: “Zeman është një person jashtë zakonit. I veçantë, i ndershëm, një trajner i madh që ka dhënë shumë. Ka krijuar kampionë këtu në Foggia dhe është figurë që nuk mund të përshkruhet me fjalë”.