Siguria Ukrainase (SBU) ka publikuar pamje të reja nga operacioni “Rrjeti i Merimangës”, ku shfaqet e gjithë rruga e një droni që nis nga një kamion dhe përfundon me përplasjen e tij me një bombardues strategjik rus Tu-22M3 në aeroportin Belaya në rajonin e Irkutskut.
Në këto pamje duket droni duke udhëtuar një distancë të gjatë dhe duke hyrë pa pengesa në territorin e aeroportit, ku ishte i dukshëm tymi i ngritur nga një aeroplan tjetër i goditur.
Javën e kaluar, Ukraina sulmoi katër aeroporte ushtarake ruse: Olenya në Murmansk, Ivanovo në Ivanovo, Dzhagilyevo në Ryazan dhe Belaya në Irkutsk, të cilat shërbenin si baza e aviacionit strategjik rus për sulmet ndaj qyteteve ukrainase.
Ky operacion u drejtua personalisht nga kreu i SBU-së, Vasyl Maliuk, me urdhër të presidentit dhe komandantit të përgjithshëm, Volodymyr Zelensky.
Sipas vlerësimeve të autoriteteve ukrainase, dëmet e shkaktuara nga ky operacion special kapin vlerën mbi shtatë miliardë dollarë, raporton kp.
Ukraina pretendon se armiku humbi gjithsej 41 aeroplanë, përfshirë modele si A-50, Tu-95, Tu-22, Tu-160, si dhe avionë transportues An-12 dhe Il-76.
Duke komentuar operacionin, Zelensky theksoi se oficerët e inteligjencës përdorën vetëm armë ukrainase gjatë misionit.