Sonte nga ora 20:45 në Tiranë zhvillohet ndeshja futbollistike Shqipëri-Serbi, e cila ka nxitur emocione të mëdha te të dyja palët.
Historiani Sylë Ukshini, në emisionin Info Magazine kujtoi bisedën me një mik, ku thuhej se futbolli është një lloj zëvendësimi i arenës së luftës, dhe se mes tjerash luhet edhe për prestigjin e kombit.
“Ne jemi nga Ballkani dhe kur po i shihja shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia, krejt këta njerëz kanë dikë të prekur nga familja ose të përndjekur, për flamurin kuq e zi”, deklaroi Ukshini.
Ai më tej tha se ideja viktimizuese që bën Serbia për simbolet tregon që ajo nuk është zhveshur nga ideja hegjemoniste kur shqiptarin e ka futur në burg dhe e ka mbajtur me dekada për shkak të flamurit.
Ky rikthim në skenë i shqiptarëve, sipas tij, tregon që kjo liri dhe ndryshimi që ka ndodhur pas luftës së ftohtë, e shpërfaq potencialin tyre edhe demografik, sportiv, kulturor dhe ekonomik.
“Duke e pasur parasysh që ne e kemi pasur një shtet që për 100 vjet na ka përndjekur në kuptimin e zhbërjes totale, kjo ardhje e shqiptarëve i pengon. Në serbi edhe feja është e politizuar së tepërmi, edhe sporti dhe të gjitha, dhe padyshim këto kanë një reflektim”.
“Për punën e viktimizimit serbët janë kampionë. Janë viktimizuar edhe në kohën kur Millosheviqi ishte në pushtet. Zakonisht e kanë për ta justifikuar goditjen e viktimës, ata viktimën e bëjnë fajtor dhe fajtorin pastaj e bëjnë viktimë”, tha historiani.
Ukshini vlerësoi më tej se shqiptarët janë në rrugën e duhur, por se mendon që duhet të zhvishen pak nga euforia.
“Duhet të punojnë më shumë, duhet të jenë më lojalë ndaj shtetit dhe ta dinë vlerën e brezave që kanë sakrifikuar për të ardhur këtu, sepse kjo liri që e kemi është një rrugë e jashtëzakonshme”, përfundoi Ukshini.